Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama në vazhdën e takimeve të tij me diasporën u takua sot me emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Londër. *Para nisjes së takimit, jashtë sallës pati qindra protestues kundër Ramës të cilët me pankarta në duar akuzuan kryeministrin si përgjegjësin kryesor për braktisjen e vendit. *Në nisje të fjalës së tij, pati disa raste kur Ramës iu ndërpre fjala nga protestues të cilët kishin arritur të futeshin brenda sallës. Por menjëherë kanë ndërhyrë disa persona nga sigurimi të cilët i kanë nxjerrë jashtë sallës me dhunë. *Rama pati edhe disa fjalë për protestuesit të cilët i quajti “një grusht të verbërish”. Ndërsa e vijoi fjalën e tij me arritjet e pretenduara gjatë qeverisjes së PS. Ai njoftoi nismë ligjore për regjistrimin në Shqipëri të fëmijëve të shqiptarëve që u larguan nga vendi si refugjatë gjatë luftës së Kosovës. *Në mbyllje, Rama u kërkoi emigrantëve shqiptarë që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Sudja me fytyra të ndryshme”, Rama për partitë e reja: Tezga që shesin qilima fluturues
Londër- Thirrja për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ku njihet e drejta e votës së Diasporës, ka qenë pika kryesore ku është ndalur disa herë kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të tij para shqiptarëve të mbledhur në sallë.
Ai i konsideroi zgjedhjet e ardhshme si vendimmtare dhe ju bëri thirrje të pranishmëve që të “ndëshkojnë me votë opozitën”. Një përgjigje e kishte edhe për partitë e reja të krijuara të cilat i cilësoi si “tezga” dhe “dyqane”.
“Ka rëndësi themelore pjesëmarrja juaj në zgjedhjet e ardhshme sepse pavarësisht statusit social ju të gjithë keni një horizont mbi jetën dhe botën që është një garanci dhe vlerë e shtuar për gjykimin e popullit mbi alternativat udhëheqëse të Shqipërisë.
Ka vetëm një parti shtetbërëse, të tjerat janë dyqane, tezga që shesin qilima fluturues të markave Xhaferri apo Sude. Janë Sudja me fytyra të ndryshme, Sudja me fytyrën e plakut që ulërin nga maja e pallatit apo Sudja që vjen vërdallë e thotë Shqipërinë ua bëj unë.
Të ishte për këta, Shqipëria nuk do e bënte kurrë Reformën në Drejtësi. Kurrë nuk do shihnin një ministër të hetohet dhe dënohet. Nuk do bënte kurrë histori me rritjen më të lartë të turizmit në Europë. Të ishte për këta Shqipëria nuk e priste dot kurrë të gjithë Europën në një samit. Nuk e kryesonte kurrë OSBE-në dhe as nuk do kishte shans të mikpriste samitin e komunitetit politik europian i cili u bë në Britani këtë vit”- deklaroi Rama. Versus.al
Rama nismë ligjore për shqiptarët e regjistruar si kosovarë në Britani: Fëmjët tuaj do regjistrohen pa telashe në Shqipëri
Gjatë fjalës së tij para shqiptarëve në Londër, kreu i qeverisë Edi Rama njoftoi se do të ketë një nismë ligjore në të ardhmen që fëmijët e shqiptarëve të cilët emigruan në Angli gjatë luftës së Kosovës, të mund të regjistrohen pa probleme për shtetësinë shqiptare.
Ndërsa shtoi se do ketë edhe përpjekje diplomatike që shqiptarëve që u regjistruan si refugjatë nga Kosova, të kenë mundësi të rikthejnë emrat e tyre dhe të mos mbajnë ata të ndërruar pasi shkuan në Angli.
“Do ndërmarrim së shpejti një nismë ligjore për regjistrimin pa telashe në Shqipëri të prindëdrve që u regjistruan si kosovarë këtu në Angli. Do vazhdojmë përpjekjet diplomatike për t;u mundësuar të keni një emër, rikthimin e emrit të babit dhe të nënës në të gjitha rastet kur e dëshironi një gjë të tillë”- tha Rama.
“Një gjë është e sigurtë, ajo teta që ju tregonte juve me gisht iku nga pushteti, kurse ju ja ku jeni. Më në fund emri shqiptar ju bën krenar edhe këtu në Angli”- shtoi kryeministri duke nënkuptuar deklaratat e ish-ministres së Brendshme britanike. Versus.al
“Më thanë hajde pi kafe”, Rama për takimet e rastësishme me shqiptarë në Angli: Truproja anglez u tremb, i thashë…
Teksa foli për arritjet e shqiptarëve në Angli, kryeministri Edi Rama mori si shembull persona që kishte takuar në vende të ndryshme në profesione të shumëllojshme si kamarierë, truprojë apo punëtorë ndërtimi.
Ai tregoi disa prej rasteve të takimit me tij me shqiptarë në ambiente të ndryshme gjatë vizitave të tij në Londër dhe habinë e truprojës britanik që e shoqëronte gjatë vizitës së tij.
"Edhe shqiptari nga Malësia e Madhe që bëri shoferin për mua këtë herë, ka ardhur me kamion nga Italia, 28 orë i mbuluar mes mallrave. Ndërsa sot ka një kompani private sigurie me 120 punonjës, jo vetëm shqiptarë. Ai nuk është pushtues por kontributor në këtë vend.
Herën e kaluar kur hymë në hotel dhe u ula për të marrë një kafe, vjen kamarieri dhe flet shqip. Truproja e sheh dhe unë i them ‘don’t ëorry I’m home”. Njëjtë ka ndodhur edhe në mëngjes, dëgjova tek më thërrisnin tre punëtorë “Edi Rama Edi Rama”, truproja u shqetësua, ata më thonin eja pi një kafe. Unë sërish i thashë “I’m home”- deklaroi Rama para shqiptarëve në sallën ku mbahet takimi. Versus.al
“Kishin marrë me vete librin e shtëpisë”, Rama në Londër për grupin e protestuesve: Grusht të verbërish
Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij me një përgjigjie për qindra protestuesit që mbanin pankarta jashtë sallës ku po zhvillon takimin me shqiptarët në Londër.
Ai tha se e kishin ofenduar me “libër shtëpie” dhe i cilësoi si “grusht të verbërish”. Gjatë fjalës së tij pati edhe brohorima kundër tij nga të pranishmit në sallë dhe kjo shkaktoi që Rama të ndërpriste disa herë fjalën.
“Duke qenë se u bëra shkak të vinit këtu në një ditë pushimi, u kërkojë ndjesë për një grusht të verbërish atje tek dera që të nxitur nga të verbrit në Tiranë kishin marrë me vete librin e shtëpisë tonë edhe e bërtisnin aty përballë. Me keqardhje por pa asnjë dyshim me vetëdijen që edhe ata janë pjesë e familjes tonë të madhe, unë kam besim se kjo ndasi e vjetër është drejt fundit të saj”- tha Rama.
Ndër të tjera, përmendi edhe paragjykimet e bëra pak kohë më parë ku ish-zv ministrja britanike ofendoi emigrantët shqiptarë duke i cilësuar si “pushtues”.
“Po bëja bashkë mendimet për të ndarë me ju, mu kujtuan fjalët e asaj politikanes britanike dhe besoj se e mbani mend të gjithë, ish ministre e brendshme e këtij vendi na bëri sikur ne ishim plaçkitës të këtij vendi. Zonja na quajti pushtues a thua se kishim ardhur për të kërkuar kokën e mbretëreshës dhe jo për të punuar me djersën e ballit dhe për të ndihmuar ekonominë britanike që vuan për krah pune. U ngritën dhe ca tjerë pas zonjës dhe na u drejtuam si të ishim vikingë me sëpata e shpata dhe jo profesionistë të gatshëm për çdo punë”- shtoi Rama. Versus.al
“Po presionohen familjarët që i kemi në Shqipëri”, Rama pritet me protesta në Londër
Në prag të nisjes së takimit të kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Londër, qindra protestues janë mbledhur jashtë sallës ku do mbahet takimi, duke shprehur haptas pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë aktuale në pushtet.
Duke e cilësuar Ramën si përgjegjësin kryesor për braktisjen e vendit, disa prej tyre kanë deklaruar se kanë marrë vesh që emigrantëve të cilët banojnë në Londër u është bërë presion me familjet që i kanë në Shqipëri duke u kërkuar që të jenë në takim.
“Patronazhistët e Ramës kanë ardhur dhe po provokojnë protestuesit. Edi Rama vejn këtu dhe ky është një provokim i pastër pasi është ai përgjegjësi kryesor që shqiptarët janë nëpër botë. Ai nuk ka lënë gjë pa bërë e tani ka kaluar edhe në tallje. Shqiptarët këtu janë nën presion. Një miku im me tha e mund të vij me maskë në këtë protestë për arsye se unë kam presione për familjen në Shqipëri me vendet e punës”- është shprehur njëri prej protestuesve.
Gjatë mbrëmjes së djeshme në rrjet kanë qarkulluar video të kryebashkiakëve dhe ministrave e deputetëve të cilët Rama i ka marrë me vete si pjesë e delegacionit të pranishëm në takimin me emigrantët shqiptarë. Versus.al








