Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama mbajti sot një dëgjesë publike me qytetarët në njësinë nr.3 të bashkisë së Tiranës lidhur me projektbuxhetin për këtë bashki. Në këto kushte ai foli edhe për projektbuxhetin e përgjithshëm të qeverisë për vitin 2026 duke nënvizuar se Ministrisë së Shëndetësisë i janë akorduar 1 mld euro dhe se do të ketë një fond për ilaçet për të sëmurët me kancer tek Onkologjiku. *Ai nuk harroi gjithashtu të përsëriste thirrjen e bërë së fundmi që kryebashkiaku Erion Veliaj të lirohet nga qelia me justifikimin se nuk ka vrarë ndonjë njeri dhe nuk është kapur në flagrancë duke kryer ndonjë krim, pavarësisht se është marrë i pandehur për 5 vepra penale. Rama tha se Kushtetuesja duhet ta lirojë kur Veliaj ta kërkojë një gjë të tillë. *Ndërsa gjatë ndërveprimit me qytetarët, pjesë më e madhe e të cilëve pensionistë, Rama nuk ngurroi të ironizonte edhe kundërshtarët politikë, duke thënë se opozita u fsheh në zgjedhjet e pjesshme pas disa figurave të prezantuara si kandidatë të pavarur.
“Të tjerët janë kashtë e k*qe”, Rama: S’ka më të mirë se ne, PD fshihet pas aktorit që luan rolin e kandidatit

Mes të tjerash gjatë dëgjesës publike me qytetarë në njësinë nr.3 të Tiranës ku foli dhe për projektbuxhetin, kryeministri Edi Rama pati edhe disa fjalë drejtuar kundërshtarëve politikë. Sipas tij, qytetarët votojnë për PS-në sepse nuk ka forcë tjetër politike më të mirë dhe jo sepse janë më të mirët. Ndërsa ironizoi edhe opozitën për zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki duke thënë se u fsheh pas kandidatëve të pavarur.
“Nuk na votojnë ne se jemi më të mirët, por na voton ne se nuk ka më të mirë. Të tjerët janë kashtë e koqe që nuk i duhen dreqit. Është e pandodhur me aq sa e njoh unë politikën europiane, është e pandodhur në histori që një parti, një forcë politike që pretendon të jetë forcë qeverisëse, të arratiset nga zgjedhjet dhe të fshihet pas disa pseudo të pavarurve dhe madje për kryeqytetin të nxjerrë një actor që luan rolin e kandidatit të pavarur. Është e paparë dhe natyrisht kjo është një sfidë më e madhe për ne sepse kur ke përballë kandidatë që nuk të sfidojnë me aftësi e argumente, por me musculaturë, sharje e fyerje është shumë e vështirë që të sfidohesh e përmirësohesh”- tha Rama. Versus.al
“Tellalli Sali propagandon”, pensionisti-Ramës: Besojmë tek PS! Kryeministri: S’e llogaris a është apo jo

Në dëgjesën publike të mbajtur në njësinë nr.3 për projektbuxhetin e Tiranës një qytetar i moshuar mori fjalën për tëbërë pyetjet e tij. Përveç shqetësimeve ai nuk la pa ironizuar ato që ai i quan “tellallët e Saliut” të cilët sipas tij thonë se pensionet nuk janë rritur.
“Duke marrë shkas nga rrjetet sociale, por duke i bashkangjitur edhe nëj shprehje popullore që “Zoti e Shet, por tellalli s’e jep, e kam fjalën për megafonët e tellallit Sali që propagandon gjithmonë që nuk do ketë rritje për këtë e atë. Ne kemi besim tek fjala juaj, kemi besim tek PS dhe serioziteti me të cilën ajo paraqitet tek ne dhe nuk vëmë në dyshim këto që ju thoni”- tha pensionisti.
Nga ana tjetër, Rama tha se me Berishën nuk merret asnjëherë përveçse kur ka fushatë, duke e cilësuar si diçka të detyrueshme.
“Të falenderoj për këtë parashtrim se na ndihmon të shpjegojmë disa gjëra më në detaje. Nga ana tjetër e mira e kësaj pune, duke qenë se më përmende dikë që unë nu kia përmend emrin prej shumë vitesh dhe merrem me të vetëm kur ka fushatë se aty jemi në arenë dhe duhet me u marrë, përndryshe as nuk e dëgjoj çfarë thotë as nuk e llogaris a është a s’është”- u shpreh Rama. Versus.al
Veliaj i pandehur për 5 vepra penale, Rama: Përsa kohë s'ka vrarë njeri, s'ka arsye për t'u mbajtur në burg
Pavarësisht se kryebashkiaku Erion Veliaj është marrë i pandehur për 5 vepra penale, kryeministri Edi Rama gjatë dëgjesës publike për projektbuxhetin e Tiranës tha sot se kryeqyteti nuk duhej lënë pa kryebashkiak.
Sipas tij, përsa kohë Veliaj nuk ka bërë ndonjë vrasje apo nuk është kapur në flagrancë duke kryer krim, nuk ka arsye të mjaftueshme që justifikojnë arrestimin e tij pa gjyq duke lënë Tiranën pa drejtues.
“Kur kryetari i bashkisë u mor nga zyra për t’u mbyllur në qeli pa gjyq atëherë për herë të parë e ngrita zërin lidhur me një process të drejtësisë duke thënë se kjo është disproporcionale për faktin se cilado qofshin arsyet pse drejtësia heton kryetarin e bashkisë, janë të pamjaftueshme përsa kohë kryetari i bashkisë nuk ka vrarë njeri dhe nuk është kapur në flagrancë duke bërë ndonjë krim, është e pamjaftueshme për ta lënë Tiranën pa kryetar bashkie të zgjedhur”- tha Rama.
Pavarësisht se opozita bëri thirrje që Veliaj të ishte në këshillin bashkiak ditën e shkarkimit, mazhoranca nuk pranoi se sot Rama tha se ata e bënë përpjekjen për ta shkarkuar dhe të hapnin rrugën për zgjedhje të reja, por Kushtetuesja nuk e lejoi diçka të tillë. Sipas tij me këtë vendim duhet që kur Veliaj të bëjë kërkesën në GJK, të lirohet nga qelia dhe të rikthehet në zyrë.
“Kur u ezauruan të gjtiha shkallët ishte gjëja më normale të mendohej për qytetin dhe për njerëzit që kanë të drejtë të qeverisen nga të zgjedhurit. Kjo ishte arsyeja përse ne ndërmorëm hapin tjetër që të hapim rrugën e zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës. Nuk ishte hap për të fajësuar kryetarin e bashkisë dhe as për të thënë se mungonte në detyrë se kishte arsye të vetat, por ishte hap për të thënë se kryetari i bashkisë në pamundësi për të kryer detyrën të mos kthehej në problem për të qeverisur qytetin sepse asnjë qytet nuk mund të qeveriset me telekomandë. Qyteti ka nevojë për të zgjedhurin legjitim që ta drejtojë atë. Pavarësisht përpjekjes që bëmë sërish nuk ia dolëm, sepse Gjykata Kushtetuese refuzoi t’u hapë rrugë zgjedhjeve në Tiranë duke përcaktuar pamundësinë e kryetarit për të qenë në detyrë dhe se nuk është e drejta e qeverisë dhe e këshillit bashkiakpër të hapur rrugën e zgjedhjeve përsa kohë ai ka munguar. Është vendim gjykate, e respektojmë madje nuk kam arsye të besoj se GJK ka bërë politikë. Ajo ka menduar ndryshe, pork y mendim ndryshe të çon në konkluzionin që kur kryebashkiaku të shkojë atje për të kërkuar të lirohet, duhet ta kthejë në zyrë”- tha Rama. Versus.al
"Janë të kushtueshme", Rama: Në buxhetin e 2026-ës do ketë fond për ilaçet e të sëmurëve me kancer

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në një dëgjesë publike të zhvilluar për projektbuxhetin e Tiranës. Teksa foli për disa prej politikave të reja që do të ndërmerren me buxhetin për vitin 2026, ai foli edhe për ndikimin që do të ketë sa i takon ofrimit të shërbimit shëndetësor për pacientët e sëmurë me kancer.
Duke përmendur skandalin e spitalit Onkologjik ku pacientët me kancer nuk trajtoheshin dhe nuk merrnin barnat e domsodoshme për sëmundjen, Rama tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm ka një fond të caktuar për të siguruar ilaçet shumë të kushtueshme për të sëmurët me kancer.
“Kemi bërë shumë për transformimin e infrastrukturës në spital dhe për atë të Onkologjikut. Por siç jemi të vetëdijshëm, për fat të keq jo vetëm në Shqipëri, porn ë të gjithë botën kemi rritje të vazhdueshme të numrave për njerëzit që preken nga kanceri. Kjo do të thotë rritje e vazhdueshme e barrës për t’u kujdesur për më shumë njerëz. Ajo që ka ndodhur para ca kohësh në spitalin Onkologjik mund të jetë harruar për shumëkënd, por nuk është harruar nga ne.
Problemi kryesor që më pas shkakton pasoja sic e pamë në atë ngjarje në spitalin Onkologjik është se barnat për shërbimin e kancerit janë shumë të kushtueshme. Ndërkohë që ne shërbimin spitalor e ofrojmë falas për të gjithë, pavarësisht se shpesh herë përqeshet. Janë apo jo të siguruar, ata që trokasin në derën e spitalit, marrin njësoj përkujdesje. Duke qenë se barnat janë të kushtueshme dhe numri i pacientëve rritet, na ka bërë që për vite të mos jemi në gjendje t’u përgjigjemi nevojave. Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi vendosur për herë të parë një fond për të mbuluar nevojën për barnat e Onkologjikut. Do bëjmë të mundur që të gjithë ata që trokasin në atë spital për të luftuar për jetën e tyre të mos ndjejnë mungesën e përkujdesit për shkak të mungesës së barnave”- tha Rama. Versus.al
