Çfarë do të gjeni në brendësi
*Prokuroria e Posaçme lëshoi sot dy masa sigurie, “arrest shtëpie” për avokatin Bardh Koçi nën akuzën e korrupsionit të zyrtarëve shtetërorë dhe “detyrim paraqitje” ndaj një gruaje për të njëjtën vepër penale. *Koçi dyshohet se gjatë kohës që ka qenë audites në Kontrollin e Lartë të Shtetit, i ka kërkuar gruas P.M shumën prej 4 mijë eurosh për të korruptuar gjyqtarin që shqyrtonte çështjen e saj, duke marrë si paradhënie 1 mijë euro. *Ndërsa u ushtruan 4 kontrolle të banesave në Tiranë, me urdhër të SPAK u sekuestrua edhe telefoni i shefit të laboratorit në policinë shkencore.
SPAK zbardh akuzat për avokatin nën arrest: Kërkoi 4 mijë euro nga një grua për të korruptuar gjyqtarin

Prokuroria e Posaçme (SPAK), ka zbardhur akuzat që rëndojnë ndaj avokatit Bardh Koçit të cilit iu caktua masa e sigurisë arrest shtëpie nën dyshimin se mori ryshfet nga një kliente për të tentuar korruptimin e gjyqtarit që shqyrtonte çështjen e saj.
Mësohet se Koçi gjatë kohës kur mbante detyrën e audituesit në Kontrollin e Lartë të Shtetit, i kërkoi klientes P.M shumën prej 4 mijë eurosh për të korruptuar gjyqtarin, prej të cilave mori 1 mijë euro si pagesë paraprake.
Reagimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 27.08.2021, mbi bazën e akteve të dërguara nga Policia Gjyqësore ka regjistruar procedimin penal nr.229, për veprat penale “Ushtrim i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike ” dhe “Shpërdorim të detyrës”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.
Në vijim të hetimeve për këtë procedim penal, përmes aplikimit të metodave speciale të hetimit është dokumentuar kryerja e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal, e kryer nga shtetasit P.M dhe B.K.
Shetetësja P.M., në kohën e kryerjes së veprës penale po gjykohej në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentave shëndetësore”, e parashikuar nga neni 188/1 i Kodit Penal.
Shtetasi B. K. me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte i punësuar me detyrë Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) ka kërkuar nga shtetasja P.M. shumën prej 4000 (katër mijë) eurosh dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj.
Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, përmes vendimit nr.10, datë 27.02.2025, ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim B.K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personit nën hetim P.M., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Gjithashtu në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal me qëllim kërkimin e provave janë ushtruar kontrolle në banesat e katër shtetasve, mes tyre edhe në atë të një eksperti kriminalistik dhe një oficeri të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Prokuroria e Posaçme falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për bashkëpunimin efektiv në hetimin dhe fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë për këtë procedim penal. Versus.al
Detaje të reja / Avokati në arrest shtëpie, por zyrtarit të lartë të policisë i sekuestrohet telefoni
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar dy masa sigurie për veprën penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në sistemin e drejtësisë. Arrest në shtëpi është caktuar për avokatin Fatbardh Koçi, ndërsa masë sigurie ka dhe për një shtetas tjetër.
Janë ushtruar 4 kontrolle banesash dhe personale, ndërsa është sekuestruar telefoni i shefit të laboratorit në policinë shkencore.
Operacioni vjen në kuadër të një hetimi për ndërhyrje në një dosje e cila ishte nën hetim nga Prokuroria e Tiranës dhe po shqyrtohej nga gjykata.
Në kohën e kryerjes së veprës penale, avokati Koçi, ka qenë me detyrë pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ka dyshime që avokati ka ushtruar ndikim të paligjshëm bashkë me funksionarët e tjerë të policisë dhe drejtësisë për lehtësimin e pozitës penale për një person në konflikt me ligjin.
SPAK operacion në Tiranë, lëshon arrest shtëpie për një avokat. Ja për çfarë akuzohet
Nje operacion po zhvillohet aktualisht nga SPAK, ku mësohet se është ndaluar avokati Bardh Koçi. Për të GJKKO ka caktuar masën e sigurisë arrest në shtëpi.
Avokati Bardh Koçi dyshohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, ndaj për të Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurisë arrest në shtëpi.
Agjentë të BKH të mbështetur nga forca policie po vijojnë kontrollet në terren, nuk dihet ende nëse ka masa të tjera sigurie për t'u ekzekutuar.








