E ftuar në një intervistë në televizionin Alsat, halla e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi ka folur për herë të parë pas humbjes së tij, duke ndarë me publikun dhimbjen dhe kujtimet për nipin. Ajo ka rrëfyer karrierën e tij të suksesshme muzikore, pasionin për skenën dhe dashurinë që Shpati gëzonte te publiku shqiptar ndër vite.
Halla ka treguar se Shpati, sidomos në periudhën e fundit të karrierës, kishte kërkuar bashkëpunime dhe mbështetje nga kolegë të ndryshëm të muzikës, por shpesh nuk kishte marrë përgjigje, madje sipas saj shumë prej tyre as nuk i kishin lexuar mesazhet.
“Kjo më dhemb më së shumti”, është shprehur ajo, duke nënvizuar se artistët vlerësohen shpesh vetëm pasi largohen, ndërsa gjatë kohës kur janë gjallë nuk marrin mbështetjen që meritojnë.
Në këtë intervistë emocionale, ajo e përshkroi Shpatin si një “erë gjithmonë në fluturim”, që solli gëzim në çdo skenë ku u ngjit, duke lënë pas një boshllëk të madh në familje dhe në muzikën shqiptare.
'Para se të ishte artisit, para se të ishte gjithçka ishte një njeri me virtyte shumë të larta njerëzore. Një njeri që kurrë nuk xhelozoi asnjë artist.Por çfarë më dhemb më shumë se kërkoi bashkëpunime, kërkoi, kërkoi, ndoshta dhe mesazhet nuk ja kanë lexuar. Pse nuk i duam kurrë kur kemi njëri-tjetrin? Kjo është e dhimbshme”, u shpreh ndër të tjera halla e artistit të ndjerë.
Familjarët dhe publiku vazhdojnë ta kujtojnë këngëtarin, i cili u nda papritur nga jeta në moshën 40‑vjeçare pas një arresti kardiak, teksa ndodhej në Itali me familjen.
View this post on Instagram

