
Çekia është një nga kundërshtarët e mundshëm të Shqipërisë në vazon 2 në shortin e play-off për Botërorin 2026. Një kundërshtar relativisht i vështirë, por që nuk po kalon një moment të lumtur, siç tregojnë ngjarjet e fundit në kampin e saj.
Ajo fitoi dje me shifrat 6-0 ndaj Gjibraltarit në ndeshjen e fundit në grupin kualifikues, duke blinduar praninë në play-off, por nuk e festuan. Përkundrazi, pas ndeshjes shpërtheu kaosi. Gjatë takimit grupimet ultras kishin protestuar kundër ekipit me thirrje “Luftoni për Çekinë”, të cilat ata i kishin argumentuar me paraqitjet e fundit që lanë për të dëshiruar të skuadrës, mes të cilave edhe humbja në Ishujt Faroe.
Në fund të ndeshjes, lojtarët me në krye kapitenin Tomas Suçek, vendosën që të mos shkonin të përshëndetnin këto tifozë, duke mos i duartrokitur, siç është zakoni. Një situatë që ngriti polemika në rrjetet sociale dhe u shoqërua me masa drastike nga Federata Çeke.
Kjo e fundit, nëpërmjet një komunikate zyrtare, bëri të ditur se kapitenit Tomas Suçek i ishte hequr shiriti për ndeshjen e ardhshme, ndërsa lojtarëve u ishin ndaluar bonuset që merrnin në rast fitoreje, të cilat do të jepeshin për bamirësi.
“Sjellja e lojtarëve eklipsoi si paraqitjen në fushë, ashtu edhe arritjen e rëndësishme të sigurimit të fazën play-off për Kupën e Botës 2026. Asnjë lojtar nuk qëndron mbi vendin që përfaqëson, as mbi tifozin që shpenzon paratë, kohën dhe energjinë e tij duke mbështetur ekipin kombëtar. Tifozët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësinë e tyre për performancat e dobëta të kohëve të fundit”, shkruhej ndër të tjera në njoftimin e Federatës, që pritet të ketë pasoja të mëdha edhe në rendimentin e ekipit në play-off.
