Trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Sylvinho ka folur për mediat pas publikimit të listës me lojtarët e ftuar për dy ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026 me Serbinë dhe Letoninë.
Teksa foli për ndeshjen me Serbinë që do të luhet më 7 qershor, Sylvinho tha se e kishte dëgjuar edhe videon ku presidenti serb Aleksandër Vuçiç i bënte thirrje trajnerit të Serbisë që të vinte në Tiranë për të fituar.
Sylvinho tha se është i vetëdijshëm për historinë mes dy vendeve dhe se çfarë ka ndodhur më parë në Beograd, por nënvizoi se lojtarët janë të përgatitur për 90 minutat e lojës dhe se çdo gjë do të tregohet në fushë.
“Thirrja e presidentit të Serbisë për fitore në Shqipëri? E kam dëgjuar diku diçka të tillë. Por e bukura e futbollit është që zgjat 90 minuta. Do të duhemi të futemi në fushë dhe të bëjmë më të mirën e mundshme. Unë jam i lumtur me lojtarët që kam zgjedhur dhe fusha do flasë vetë.
E kam parë atë çka ndodhur vite më përpara dhe nuk shqetësohem, sepse ne i përgatisim lojtarët të luajnë 90 minuta. Ne kemi lojtarë nga të gjitha anët e botës. Lojtarët më të mirë shqiptar, ata që zbresin në fushë, janë këta 27 që kemi përzgjedhur. Unë jam shumë i kënaqur me lojtarët që kemi grumbulluar. Christian Shpendi? Futbolli nuk bëhet brenda 24 orëve. Kur një lojtar që është i grumbulluar përgjigjet në fushë, ai mund të thirret sërish. Unë nuk besoj në 10 ndryshime në çdo grumbullim”- deklaroi Sylvinho.
“Të gjitha pjesët janë të rëndësishme. Nuk ka një repart që ta fiton ndeshjen. Besoj se janë 11 lojtarë që mbrojnë dhe 11 lojtarë që krijojnë aksione. I rëndësishëm është ekuilibri i skuadrës. Jemi të kënaqur me lojtarët që kemi dhe do të punojmë të gjejmë këtë ekuilibër”, shtoi tekniku Brazilian. Versus.al







