
Mbrëmja e 7 qershorit 2025, ora 20:45, nuk është thjesht një tjetër ndeshje futbolli. Arena Kombëtare do të jetë zemra që rreh fort për çdo shqiptar, teksa Kombëtarja jonë përballet me Serbinë në kualifikueset e Kupës së Botës “2026”.
Emocioni në tribuna do të jetë i përzier me krenari, dhimbje dhe vendosmëri. Një ndeshje që nuk luhet vetëm në fushë, por edhe në ndërgjegjen kombëtare.
Pikërisht për këtë arsye, autoritetet shqiptare kanë vënë në lëvizje masa sigurie të jashtëzakonshme, në përpjekje për të garantuar një mbrëmje sportive, por pa kompromis me sigurinë. Organizimi ka nisur me javë të tëra përgatitjesh, me një bashkëpunim të ngushtë mes FSHF-së, Policisë së Shtetit, Shërbimeve të Sigurisë dhe agjencive të tjera.
Burime për Panorama Sport bëjnë të ditur se Arena Kombëtare është pajisur me kamera inteligjente me njohje fytyre (face recognition) dhe sistem monitorimi të lëvizshëm që do të ndjekë çdo lëvizje në tribuna e jashtë tyre në kohë reale. Asnjë fytyrë nuk do të kalojë pa u vërejtur, asnjë shkelje nuk do të mbetet e padokumentuar.
Kontroll total në hyrje
Policia do të zbatojë kontroll rigoroz të çdo tifozi, ku bileta duhet të përputhet me identitetin personal. Çdo çantë, objekt metalik, shishe apo çadër — ndalohet kategorikisht. Çdo tifoz do t’i nënshtrohet kontrollit fizik të detajuar, në një përpjekje për të garantuar një atmosferë pa incidente.
Qyteti në gatishmëri
Rrugët drejt stadiumit do të bllokohen plotësisht, ndërsa një rreth perimetral antidron do të jetë aktiv për të parandaluar çdo rrezik nga ajri. Prania e forcave të shumta policore dhe njësive antiterror do të jetë e dukshme në çdo cep të kryeqytetit. Versus.al







