
Kryeministri Edi Rama e nisi takimin e tij me kryëbashkiakët në Golem me situatën e krijuar pak ditë më parë me përmbytje në gjithë vendin pas shirave të dendur në disa zona. Rama e vuri sërish theksin tek papërgjegjshmëria e qytetarëve që hedhin mbeturina dhe më pas këto mbeturina bllokojnë kanalet kulluese.
Sipas tij, në nëntor ishte bërë një pastrim i kanaleve kulluese dhe tregoi sesi kryebashkiakja e Durrësit Emirjana Sako i kishte dërguar një video ku dukej se kanali i pastruar ishte mbushur sërish me mbetje e plehra.
“Dhe pamë sesi kjo situatë u ndërlikua ndër të tjera edhe nga papërgjegjshmëria rrënqethëse e shumëkujt ndër ne që si qytetar i kësaj republike apo shqipfolës sepse nuk janë turistët e huaj që hedhin mbetjet e tyre nëpër rrugë, e konsideron këtë vend si një landfill kudo ku ndodhet dhe hedh shishen e zbrazur të ujit apo pijeve jo alkoolike dhe gjithë kjo sasi e madhe që hidhet rrugëve ku këtu hyn edhe mungesa e një menaxhimi ashtu siç do duhej të mbetjeve të konsumit familjar në territoret rurale, mblidhet dhe falë erës si fillim dhe falë ujërave të ngritur nga reshjet intensive, vjen dhe bllokon pika kyçe të rrjetit të kullimit, siç ndodhi në Shkozet, Gjirokastër dhe disa pika të tjera.
Në nëntor ishin pastruar që të gjitha dhe para disa ditësh kryetarja e bashkisë së Durrësit më çoi një video sesi po rimbushej prapë ajo pika kyçe në Shkozet pasi u ripastrua. Kur gjendemi përpara kësaj situate agresioni të mbetjeve plastike, është drejtëpërdrejtë ndikimi i njeriut në këtë situatë duhet të angazhohemi të ndërmarrim një ofensivë të përbashkët për të angazhuar komunitetet që të krijojmë kushtet ta vëmë në kontroll këtë faktor kaq të rrezikshëm e të dëmshëm”- deklaroi Rama duke shtuar “kjo është punë shqiptare, ky është krim shqiptar. Nuk është krim ku mund të vëmë gishtin për të gjetur bashkëfajtor tek turistët gjermanë, polakë apo spanjollë. Për këtë duhet të marrim masa të shpejta”. Versus.al

