Pas tre orëve përplasjesh me policinë gjatë mosbindjes civile mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ish-deputeti Luçiano Boçi foli për emisionin “Opinion” ku u pyet nëse PD do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nëse nuk plotësohet kërkesa e tyre për krijimin e një qeverie teknike.
Boçi duke mos dhënë përgjigje konkrete, u shpreh i bindur se PD do të arrijë qëllimin e saj për krijimin e një qeverie teknike, ndërsa shtoi se do të ketë intensifikim të mosbindjes civile.
“E kuptova shumë mirë. Mosbindja civile do vazhdojë me akte të tjera, më frekuente. Mund të jetë dhe afër në Dhjetor, por edhe në forma të tjera. Sot ka një bindje shumë të madhe që qëndresa e qytetarëve nuk mposhtet. Ka dhe mbështetje dhe përkrahje në opinionin publik sado deformohet, sado që shpërndahen mesazhe sikur nuk ka pasur solidaritet. Kjo nuk është e vërtetë sepse ne nuk transmetuam nga qytetarët diçka të tillë. Do insistojmë në mosbindje civile. Jo thjesht në format që nuk janë ekzekutuar, por duke performuar edhe në forma të tjera. Nuk jemi në fushën e shkencave ekzate”- tha Boçi.
Gjatë mosbindjes civile të mbrëmjes së djeshme, u bllokuan për tre orë 5 pikat kryesore të qarkullimit të Tiranës duke krijuar trafik dhe përplasje jo vetëm mes policëve dhe përfaqësuesve të PD por edhe mes këtyre të fundit dhe drejtuesve të mjeteve që qëndronin në trafik. Versus.al