
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato zhvilloi sot takime veçmas me dy prej krerëve të partive të reja opozitare, Adriatik Lapajn e “Shqipëria Bëhet” dhe kryetarin e Lëvizjes Bashkë, Arlind Qorin.
Në postimin e bërë në rrjetet sociale, Gonzato shprehet se çdo votë e qytetarëve duhet të ketë të njëjtën peshë. Ndërsa theksoi Reformën Zgjedhore, Gonzato shkruan se duhet një kuadër zgjedhor i drejtë në mënyrë që të sigurohet përfaqësimi i qytetarëve në Kuvend.
“Biseda të vlefshme sot me Adriatik Lapajn e #ShqipëriaBëhet dhe Arlind Qorrin e #LëvizjaBashkë, ku ramë dakord se një demokraci e shëndetshme ndërtohet mbi pluralizmin. Bashkëjetesa e zërave të ndryshëm politikë ndihmon në pasqyrimin e vetë strukturës së shoqërisë, siguron përfaqësim të drejtë dhe rrit besimin e publikut.
Çdo votë e hedhur duhet të ketë të njëjtën peshë, në mënyrë që rezultatet zgjedhore të pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve.
Prandaj reforma zgjedhore ka rëndësi. Një kuadër zgjedhor i drejtë dhe transparent siguron që përfaqësimi në parlament të pasqyrojë zgjedhjet e votuesve. Ai fuqizon qytetarët, nxit pjesëmarrjen dhe forcon llogaridhënien,” tha Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato. Versus.al

