POLITIKË /

Begaj dekretoi zgjedhjet për Tiranën dhe pse Kushtetuesja i pezulloi, PD: Nuk është president, por robot i Ramës

Sipas Bardhit, Begaj ka rrënuar kështu autoritetin e Gjykatës Kushtetuese.

Shkruar nga Versus

Begaj dekretoi zgjedhjet për Tiranën dhe pse Kushtetuesja i pezulloi,

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi ka reaguar ashpër pasi Begaj dekretoi datën 9 nëntor për zgjedhje të parakohshme edhe në Tiranë, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e kishte pezulluar procesin duke marrë në shqyrtim ankimin e Veliajt.

Bardhi tha se me shkeljen e rëndë që ka kryer sot, Begaj ka rrënuar edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese duke shtuar se asnjë në 35 vite demokraci nuk e kishte dëmtuar kaq shumë institucionin e presidencës.

“Asnjë surprizë nga Bajram Begaj! Ashtu siç kishim paralajmëruar, Bajram Begaj nuk është President i shqiptarëve, por një robot që komandohet nga Edi Rama. Me shkeljen e rëndë që ka kryer sot ndaj Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka kryer një puç kushtetues sepse ka rrënuar edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe themelet mbi të cilat ndërtohet shteti i së drejtës.

Zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë janë futur në një ngërç kushtetues për shkak të aktit të sotëm të Presidentit të Republikës. Juridiksionin e shqyrtimit të ankimit ndaj VKM-së së shkarkimit nuk e cakton Edi Rama në relacion, por Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Një mandat kushtetues nuk mund të ndërpritet veçse për shkaqet e parashikuara shprehimisht në Kushtetutë dhe kjo i nënshtrohet kontrollit kushtetues. Askush në 35 vjet demokraci nuk e ka dëmtuar kaq shumë reputacionin e Kreut të Shtetit. Arsyet janë tërësisht banale: Edi Rama ka marrë peng Bajram Begajn, dhe e komandon atë njëlloj si “Diellën”, shkruan Bardhi. Versus.al

Poll