
Sot të thuash një mendim kritik në rrjetet sociale është si të kërkosh vetë që të të vënë shënjestër. Dhe deputeti Erion Braçe ta vërteton më së miri këtë tezë.
Një qytetar, i quajtur Jorgji Kaçorri, komentoi pa ndonjë sharje të madhe, pa ndonjë fyerje direkte, thjesht ca ironi për mënyrën se si pushteti po e zbukuron Shqipërinë ndërkohë që realiteti është gjithçka tjetër veçse “lule”. Dhe si reagoi deputeti? E mori personalisht, natyrisht. Sepse kur s’ke më ç’të thuash politikisht, ofendon. I shkruajti qytetarit në privat dhe e quajti “kokrra e injorantit”, pastaj i dha edhe bllok, se mos thotë ndonjë gjë tjetër pa leje.
Në një vend që pretendon të jetë demokratik, deputeti është i përulur ndaj çdo komenti kritik. Por deputeti Braçe ka një stil ndryshe komunikimi. Qytetari nuk ka të drejtë të ketë mendim, përveçse kur po përgëzon qeverinë për ndonjë shatërvan të ri apo pemë të mbjellë në TikTok.
Dhe nuk është vetëm Braçe që e ngatërron kritikën me armiqësi. Kolegu tjetër rilindas, Erion Isai, u ndje aq i prekur nga një koment për anglishten e tij me theks nga vendlindja e tij, sa ftoi qytetarin në duel “tek më tek”. Jo për të folur, jo për të sqaruar, po për "t'u ballafaquar”. Siç i ka hije një përfaqësuesi të denjë të shekullit XXI.
Ndërkohë, asnjë reflektim. Asnjë kërkim falje. Asnjë përpjekje për të treguar minimumin e etikës që i kërkohet një deputeti. Sepse kur je në pushtet prej kaq kohësh, e ngatërron kritikën me mungesë respekti dhe votën me nënshtrim.
Pra, qytetarë të dashur, përpara se të shkruani një koment të pafajshëm, pyesni veten: a është egoja e ndonjë deputeti mjaftueshëm e fortë për ta përballuar? Versus.al







