
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re, duke e futur Kosovën në një fazë të re të procesit politik dhe institucional.
Në seancën e sotme të Kuvendit, kabineti i propozuar “Kurti 3” mori vetëm 56 vota pro, ndërsa 52 deputetë votuan kundër dhe 4 abstenuan, duke e bërë të pamundur miratimin e qeverisë së re.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, pas këtij dështimi, procesi kalon në duart e presidentes Vjosa Osmani, e cila pritet të nisë konsultimet me partitë politike për hapat e mëtejshëm.
“Presidentja Osmani do t’i ftojë partitë politike për konsultime gjithsesi brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë e saj kushtetuese,” deklaroi për RTK-në këshilltari për media i presidencës, Bekim Kupina.
Në vijim, Osmani pritet të vendosë nëse do të mandatojë një kandidat të dytë për formimin e qeverisë apo nëse vendi do të drejtohet drejt zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, në rast se nuk arrihet shumica e nevojshme parlamentare.
