POLITIKË /

Do e hapë seancën e parë si deputeti më i vjetër në Kuvend? Berisha: Betejë deri në rikthimin e votës së lirë

Kreu i PD la të kuptohet qartë se nuk ka ndërmend të zbatojë rregullin e hapjes së seancës si deputeti më i moshuar i Kuvendit.

Shkruar nga Versus

Do e hapë seancën e parë si deputeti më i vjetër

Pas mbajtjes së zgjedhjeve të 11 maji ku PS fitoi me 83 mandate, në shtator nis legjislatura e re e Kuvendit dhe i takon Sali Berishës si deputeti më në moshë që të kryejë hapjen e seancës.

I pyetur nga gazetarët nëse do e zbatojë një rregull të tillë, Berisha tha se diçka e tillë nuk mund të ndodhë dhe se PD nuk i njeh zgjedhjet të cilat sipas tij kanë qenë më monstruozet në 34 vite demokraci.

“Unë vazhdoj betejën kundër kësaj vjedhje më monstruozen e 32 viteve në historinë e zgjedhjeve pluraliste. Këto vjedhje, kësaj here, kjo vjedhje monstruoze, ka qenë një vjedhje e paralajmëruar, pasi është e denoncuar paraprakisht në 4 rezoluta ndërkombëtare me forcën dhe fuqinë më të madhe.

Së dyti, kjo vjedhje është denoncuar në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë. Ne vazhdojmë betejën tonë gjer në rikthimin e të drejtës së votës së lirë të shqiptarëve...

...Kjo pyetje e ka përgjigjen. Nuk do mund të ndodhë ndonjëherë ajo, dhe u siguroj se beteja jonë do vazhdojë gjer në rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve. Të mos mendojë njeri se ne intimidohemi, as se ne impresionohemi, përkundrazi.

Çdo përpjekje për të përligjur vjedhjen, vetëm sa dëshmon amoralitetin dhe bashkëfajësinë e të gjithë atyre që e ndërmarrin. Sepse vjedhja kësaj here ka ndodhur publikisht, me vendime qeverie, pa u fshehur fare. Ndaj dhe ne qëndrojmë të fuqishëm dhe kemi besim se do t’ia dalim”- deklaroi kryedemokrati. Versus.al

Poll