
Kryeministri Edi Rama foli sot në një konferencë të organizuar lidhur me programin e përgatitjes së bizneseve për tregun europian që do të hyjë në zbatim vjeshtën e ardhshme.
Kreu i qeverisë tha se do të ketë ekspertë të mirëinformuar që do të ndihmojnë sipërmarrësit shqiptarë për të zgjeruar biznesin e tyre.
“Për t’iu gjendur pranë bizneseve në përballje me të ardhmen që po vjen me shpejtësi dhe në mënyrë të pandalshme që është integrimi në BE, jemi angazhuar me këtë program kombëtar që do ta mbështesim me ekspertizën e UNDP që do të angazhojë ekspertë të mirëinformuar dhe të mirëpërgatitur për të asistuar sipërmarrjen shqiptare. Na duhet të rrisim mbështetjen për sipërmarrjen sepse ky është sistemi i sipërmarrjes, zhvillimit ekonomik e social, ku pa sipërmarësin ka vetëm iluzione dhe humnera pas tyre. Duam që sipërmarrja e vogël dhe e mesme të ketë sot shansin që nëse ka kapacitetin e kurajës së mjaftueshme, e idesë së qartë për të nesërmen dhe vullnetit të domosdoshëm, të ketë mbështetjen tonë. Ajo do të materializohet me hapjen në ditët e ardhshme me programin “Dyfisho biznesin tënd”, në mbështetje të atyre që duan të ngjiten më lart”, tha Rama.
Ai shtoi se çdo sipërmarrës i vogël dhe i mesëm me një plan të qartë, do të financohet falë një linje kredie të vendosur nga Banka e Shqipërisë.
“Çdo sipërmarrës i vogël dhe i mesëm që ka gjithë të tjerat përveç financimit, do ketë financim. Me mbështetjen e qeverisë shqiptare falë linjës së kredisë së Bankës së Shqipërisë. Nuk do të ndalemi tek një kuotë financimi si ajo që kemi parashikuar, nëse do ketë nevojë për më shumë, do vëmë në dispozicion më shumë. Nuk do ketë sipërmarrje të vogël e të mesme që paraqet një plan të detajuar që nuk do të mbështetet financiarisht”- shtoi ai. Versus.al

