Mes masave të hyra në fuqi për kontrollin e territorit, është edhe kontrolli dhe korrigjimi i mureve rrethuese të godinave të ndryshme. Kryeministri Edi Rama bëri me dije se do të duhet që për çdo mur rrethues të merret leje e posaçme dhe të ketë një korrigjim sipas modeleve që do u vendosen në dispozicion nga bashkitë.
Mes të tjerash theksoi se çdo mur rrethues i ngritur për qëllim fitimi, do të shembet.
“Muret rrethuese janë problematikë më vete në këtë republikë, akti që kemi kaluar përcakton se muret rrethuese do duhet t’u nënshtrohen rregullave. Nuk mund të jetë Shqipëria europiane një vend ku muret rrethuese janë tërësisht pa asnjë lloj sensi të zhvillimit të përbashkët urban të një lagjeje apo një zone. Padiskutim që siç merret leja për ndërtimin, ashtu edhe për murin rrethues. Muret rrethuese pa leje do duhet të adoptohen dhe korrigjohen sipas modeleve që do i vënë në dispozicion bashkitë. Kudo ku janë ndërtuar për qëllime fitimi, se ka mure rrethuese ku do ketë mirëkuptim. Çdo mur rrethues i bërë nëpër resorte, nëpër pallate e godina për qëllim fitimi, do prishet, do shembet. Për çdo mur, duhet marrë leje sepse muret i keni parë vetë me siguri edhe kur keni shkuar me pushime që ato muret kanë tendencë të gllabërojnë treçerekun e trotuarit dhe më pas janë ato trotuaret minimaliste që duhet të ecësh në rrugë”- tha kryeministri. Versus.al







