Për reformën e njoftuar në fushën e ujësjellësve, kryeministri Edi Rama dha sot detaje të reja. Ai tha se njëjtë si energjia elektrike, duhet të ketë një operator kombëtar për shpërndarjen e ujit në të gjithë vendin.
Teksa dha detaje për mënyrën sesi duhet të funksionojë sistemi i shpërndarjes së ujit, përmendi edhe rastin e ujësjellësit të Tiranës ku tha se drejtori kishte 30 këshilltarë.
“Duke ardhur tek uji, kemi nevojë për një reformë. Të gjitha llojet e llogaritjeve që bëjmë, na nxjerrin në përfundimin se është koha për operator kombëtar për sistemin e shpërndarjes së ujit, siç kemi atë të shpërndarjes së energjisë elektrike. Operator që të adresojë një cështje jetike si furnizimi me ujë. Mund ta parapërfytyroni një zyrë drejtori të një ujësjellësi me 30 këshilltarë? Staf, këshilltarë sekretarë e ku di unë. Nuk ka zyra ime as çerekun, nuk kanë zyrat tuaja as çerekun. Mund ta përfytyroni këtë? Kjo ishte drejtoria e Ujësjellësit të Tiranës. Çudira të tilla ka tepër për një vend si Shqipëria që nuk e ka luksin të presë që të konsolidohen ujësjellësit”- tha Rama. Versus.al







