
Diskutimet për projektligjin e Policisë së Shtetit shkaktuan debate edhe gjatë mbledhjes së sotme në Komisionin e Sigurisë mes kryetarit Nasip Naço dhe deputetit të PD Ervin Salianji.
Ky i fundit, tha se me këtë projektligj synohej që t’u bëhej presion efektivëve që të ndihmonin Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Më tej kërkoi që diskutimet të shtyheshin për një herë tjetër pasi ende nuk ishin dëgjuar palët e interesit.
Kjo shkaktoi reagimin e Naços i cili i cilësoi deputetët opozitarë si të “depresionuar” dhe tha se diskutimet nuk mund të shtyheshin vetëm se opozitë kërkonte kështu.
Pjesë nga debati në mbledhjen e komisionit:
Salianji: E bëni që t’I vendosni në presion drejtuesit tu shërbejnë për zgjedhje ose i keni me mandat.
Naço: Ju jeni në depresion
Salianji: Më mirë në depresion se kurohet sesa të jemi të çmendur si ju. Ju keni lajthitur fare. Mos e thuaj shpesh sepse fyen shumë njerëz që bëjnë një prej sëmundjeve që duhet kuruar dhe duhet bërë thirrje. Duhet bërë thirrje që shoqëria shqiptare të emancipohet. Ju kur nuk jeni në rregull nga trutë dilni këtu dhe bëni si të rëndësishëm.
Naço: Jeni në gjendje të rënduar psikologjike, po e heq fjalën depresion. Përfaqësues të opozitës thonë mos e mirato ligjin ti se ne po flemë gjumë.
Salianji: Të ishte në një vend tjetër, të merrnin nga kryetar komisioni dhe të izolonin në psikiatri derisa të bëheshe në rregull. Nuk bëhen deklarata të tilla. Propozimi im procedurial është ta shtyjmë këtë disktuimin dhe të reflektojmë pretendimet e grupeve të interesit.
Projektligji për policinë e shtetit përkundër kundërshtive të opozitës pritet që seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar të kalohet për votim. Më herët është bërë me dije se projektligji përmban ndryshime në mënyrën e ngjitjes në karrierë, gjë që sipas ministrit të Brendshëm Taulant Balla, do të sjellë një lehtësim të të bërit karrierë në polici për efektivët e rinj.
Ndryshim do të pësojë edhe zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm të policisë për emërimin e të cilit pritet të ngrihet një komision ad-hoc që vlerëson kandidaturat e paraqitura. Projektligji ngjalli dsikutime edhe herën e kaluar mes Salianjit dhe ministrit Balla ku deputeti i kërkoi llogari për “shfaqjen” e Nuredin Dumanit në qeli luksoze nga burgu 313. Versus.al







