Kryesia e Partisë Demokratike përcaktoi dje drejtuesit politikë të 12 qarqeve të vendit të cilët do të udhëheqin partinë për betejën elektorale në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.
Në listë u vunë re disa ndryshime në qarqe si caktimi i Gazment Bardhit në Fier apo Ervin Salianjit në Elbasan. Por në mbledhjen e kryesisë pati edhe debate sa i takon mungesës së emrave të grave në listat e drejtuesve.
Ka qenë anëtarja Edith Harxhi ajo që ka kritikuar listat duke e quajtur të turpshme faktin që nuk ka asnjë drejtuese grua.
“Është për të ardhur turp, që gjithë kjo parti nuk ka një zonjë për të drejtuar një qark. Jemi kthyer në parti burrash, jemi bërë për turp”- tha anëtarja e kryesisë.
Ndërsa iu kthye edhe kreut të grupit parlamentar Gazment Bardhit duke i kërkuar llogari përse nuk është bërë asnjë aksion opozitar për të kërkuar lirimin e Sali Berishës nga arresti shtëpiak ku qëndron prej dhjetorit të vitit të kaluar për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
“Përse nuk keni bërë asnjë lëvizje apo aksion si grup parlamentar për lirimin e liderit të Partisë Demokratike? Nuk mund të mjaftohemi me dy letra kancelarive. Duhet një aksion, lideri i partisë po mbahet politikisht në arrest shtëpie”- iu drejtua Harxhi Bardhit. Versus.al








