Kryeministri Edi Rama akuzoi sot opozitën se po tenton të sabotojë procesin e integrimit europian të Shqipërisë duke denoncuar vendin tek partnerët europianë për keqqeverisje, narko-shtet dhe korrupsion.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste në njësinë nr. 14 të Tiranës, Rama tha se opozita po bën diçka që asnjë forcë politike nuk e ka bërë ndonjëherë ndaj bashkëkombësve të vet, duke marrë si shembull Maqedoninë.
“Nuk lënë gjë pa thënë që ky proces të mos ndodhë. Luftë politike ka edhe në vende të tjera, por kurrë maqedonasit nuk ja kanë bërë këtë maqedonasve. Kurrë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se për herë të parë fati dhe historia po i buzëqeshin shqiptarëve dhe se humbja e këtij momenti do të ishte dramatike, pasi do të duheshin vite për t’u rikuperuar.
“Po tentojnë të dëmtojnë një moment ku fati, historia po i buzëqesh shqiptarëve. Diçka madhështore dhe gjëja më e jashtëzakonshme që mund të bëjmë për fëmijët tanë”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se nëse dera e BE-së mbyllet, do të duhen vite për ta hapur sërish, duke krahasuar situatën me studentët që udhëtojnë pa vizë, por që jashtë Shqipërisë trajtohen si të huaj, ndërsa anëtarësimi do t’i bënte “vendas” në çdo qytet europian.
"Nuk lënë gjë pa thënë që ky proces të mos ndodh. Luftë politike ka dhe në vende të tjera, por nuk ja kanë bërë kurrë maqedonasit maqedonasve këtë punë. Kurrë. Që të thonë atje shiko se këta… Ne kësaj nuk kemi ça i bëjmë. Nuk kemi ça i bëjmë ca të paudhëve që nuk e kanë idenë që çfarë po bëjnë.
Po tentojnë të dëmtojnë një moment ku fati, historia po i buzëqesh shqiptarëve. Diçka madhështore dhe gjëja më e jashtëzakonshme që mund të bëjmë për fëmijët tanë. E kundërta është gjëja më dramatike. Që ne të mos ja dalim dot.
Nëse dera mbyllet, do duhen vite pastaj. Isha me ca studentë, të duket sikur je europian se ikën pa vizë, shkon ku të duash, por kur zbret nga avioni nuk je më europiane atje, je i huaj. Ndërkohë që duke hyrë, duke u bërë Shqipëria vend anëtar je vendas në çdo qytet të BE", u shpreh Rama gjatë fjalës së tij. /Versus.al

