
Seanca e së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë është shënuar nga tensione të reja mes opozitës dhe mazhorancës, me një përplasje të fortë verbale mes deputetes së PD-së, Albana Vokshi, dhe Bora Muzhaqit.
Vokshi kërkoi përjashtimin e Taulant Ballës nga seanca dhe dënimin me dy muaj, duke e quajtur atë “sharlatan” për fyerje seksiste dhe intimidime ndaj deputeteve demokratë. Ajo u drejtua kolegeve të mazhorancës me pyetjen: “A keni motra, nëna dhe gra në familjet tuaja?”.
Muzhaqi ia ktheu duke i rikujtuar fjalorin e Vokshit dhe duke e pyetur: “Si do të vinte ty po t’i thonin vajzës tënde atë që më the ti mua?!”.
Kjo shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Vokshit: “Mos i përmend fëmijët e mi. Mbylle gojën. Fëmijët e mi mos mi përmend kurrë. Pusho… të të vijë turp!”.
Përplasja u agravua me replika personale, ku Muzhaqi u përgjigj: “Ti mos m’i përmend prindërit”, ndërsa Vokshi vazhdoi: “Fëmijët e mi në këtë grup të qelbur mos mi përmend. Mos guxo ta hapësh gojën… turp!”./Versus.al


