POLITIKË /

Ekipi elektoral i PS për 2025-ën, 3 drejtues për Tiranën! Rama cakton Ballën për Diasporën, Gjiknuri mbetet jashtë

Taulant Balla u caktua nga Rama drejtues politik për Diasporën ndërsa Gjiknuri është "i përjashtuari" nga lista e drejtuesve elektoralë pavarësisht se deri së fundmi ka qenë sekretar i Përgjithshëm dhe drejtues politik për qarkun e Elbasanit.

Shkruar nga Versus

Ekipi elektoral i PS për 2025-ën, 3 drejtues për Tiranën!

Partia Socialiste ka bërë publike emrat e ekipit elektoral për zgjedhjet e 2025-ës duke sjelle një risi sa i takon qarkut të Tiranës ku për të parën herë do të ketë 3 drejtues politikë, kryebashkiakun Erion Veliaj, kryeparlamentaren Elisa Spiropali dhe ministren Ogerta Manastirliu.

Ajo çfarë vihet re është lënia jashtë e Damian Gjiknurit nga lista e drejtuesve politikë, duke caktuar në vend të tij si drejtues politik të Elbasanit, Arbjan Maznikun ministrin aktual të Pushtetit vendor.

Ndërsa zv.kryeministrja Belinda Balluku është caktuar për të drejtuar fushatën elektorale në Fier, teksa vendin e saj në Dibër e zë ministri Blendi Gonxhe. Ndërsa për Diasporën drejtues politik do të jetë Taulant Balla. 

Lista e drejtuesve politik të PS në rrethe:

Tiranë- Elisa Spiropali, Erion Veliaj dhe Ogerta Manastirliu

Durrës- Emirjana Sako

Shkodër- Benet Beci

Lezhë- Ulsi Manja

Kukës- Pandeli Majko

Dibër- Blendi Gonxhe

Elbasan- Arbjan Mazniku

Fier-Belinda Balluku

Korçë-Niko Peleshi

Gjirokastër- Mirela Kumbaro

Berat- Ervin Demo

Vlorë-Bledi Çuçi.

Javën e kaluar Partia Demokratike shpalli emrat zyrtarë të ekipit elektoral për zgjedhjet e 2025-ës, ku shiheshin shumë pak ndryshime nga ato të mëparshmit. Por me zyrtarizimin e emrave të PS, tashmë për Tiranën Belind Këlliçi i PD do të duhet të përballet me 3 drejtues të PS, Spiropalin, Veliajn dhe Manastirliun.

Ndërsa në Fier, kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi është përballë zv.kryeministres Belinda Balluku e cila është zgjedhur nga Rama për të qenë në krye të “kryeqytetit” të bastioneve socialiste, pas suksesit të arritur nga ajo në qarkun e Dibrës.

Një tjetër përballje e fortë mes drejtuesve politikë pritet edhe në Shkodër ku përballë Luçiano Boçi të demokratëve do të jetë Benet Beci, fituesi i bashkisë së Shkodrës i cili mposhti rivalin e tij Bardh Spahinë në 2023-in me një diferencë të bindshme prej më shumë se 10 mijë votash. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: