
Pavarësisht se pritej një ndryshim rrënjësor në listat e drejtuesve politikë të PD-së për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, pritshmëritë nuk janë përmbushur pasi pothuajse të njëjtët emra përbëjnë listën me ndryshime vendesh. Publikimi i listës shkaktoi debate të shumta te demokratët. Me Edi Palokën dhe Flamur Nokën si përgjegjës për organizimin e fushatës, duke qenë se Sali Berisha mbahet në arrest shtëpie, janë ngjallur edhe pakënaqësitë e para sa i takon lënies jashtë listave të drejtuesve politikë të disa prej figurave më aktive të partisë.
Shumë prej të zgjedhurve si drejtues politikë, kanë dështuar ta kalojnë PD-në forcë të parë në qarqet e tyre. Ndërsa janë lënë jashtë emra që në zonat e tyre kanë mbështetje të madhe nga elektorati.
Një prej emrave të lënë jashtë, është Tomorr Alizoti i cili në zgjedhjet e kaluara ka qenë në rolin e drejtuesit politik në qarkun e Beratit ku gëzon mbështetje të madhe. Në vend të tij, është caktuar Eno Bozdo si drejtues politik, duke lënë me pikëpyetje shumë prej anëtarëve mbi kriteret e përzgjedhjes.
Ndërkohë në Fier, pati një zëvendësim të papritur të Luan Baçit me Gazment Bardhin duke ndezur shkëndijat e para të pakënaqësisë, të cilat nëse do të kthehen në një vatër zjarri pragzgjedhjesh, pasojat do të shihen në kutitë e votimit. Gazment Bardhi ishte drejtuesi politik i PD-së në zgjedhjet e shkuara parlamentare në Elbasan, ku në përfundim, përveç rezultateve jo në favor të subjektit politik që drejtonte, mori edhe koston e një përplasjeje me armë ku një shtetas humbi jetën, ndërsa një i ri ndodhet në qeli. Dhe duket se Luan Baçi, nuk do ta lërë të kalojë me kaq, duke 'mos njohur autoritetin e askujt në PD, pëveçse të Sali Berishës'. Me pak fjalë, nuk njeh as Flamur Nokën dhe as Edi Palokën. Me sa duket, as vendimet e grupit të PD-së, ndërsa më vonë deklaroi se, do të merrte pjesë në komisionin Antikorrupsion, të cilin deri më tani e ka bojkotuar. Bardhi u detyrua të sqaronte se grupi parlamentar i PD-së nuk do të marrë pjesë në këtë komision. Ndoshta do të shohim vetën një Luan Baçi në mbedhjet e radhës në këtë komision dhe 2 'gjela' në takimet e PD-së Fier.
Një tjetër emër i lënë jashtë është edhe Bardh Spahia, ish-kryebashkiaku i Shkodrës i cili u mund nga Benet Beci në zgjedhjet e 14 majit, duke i lënë karrigen një socialisti, për herë të parë në vitet postkomunizëm. Spahia në zgjedhjet e kaluara, mbajti postin e drejtuesit politik të fushatës në Shkodër. Ndërsa këtë herë, ai nuk është përfshirë fare në listë, duke u zëvendësuar me Luçiano Boçin, i cili theu dhe herësin në zgjedhjet e 2021-shit.
Jashtë listës është lënë edhe një tjetër figurë aktive e PD, si Jorida Tabaku. Kjo e fundit ende nuk e ka bërë të qartë nëse do të kandidojë apo jo si deputete në listat e Partisë Demokratike në zgjedhjet paramentare të ardhshme. Duke qenë se ajo nuk ka mbajtur një rol mbështetës dhe të qartë sa i takon zhvillimeve dhe përplasjeve brenda PD, duket se nuk është zgjedhur për të drejtuar ndonjë qark gjatë fushatës elektorale.
Nga ana tjetër pjesë e listës së drejtuesve për të disatën herë radhazi është 'besniku' i Berishës, Tritan Shehu i cili pavarësisht mungesës së rezultateve në qarkun e Gjirokastrës, edhe këtë herë do të drejtojë përpjekjet për të fituar sa më shumë mandate.
Ndërsa në Lezhë në zgjedhjet e shkuara drejtues politik ishte Mark Marku, një nga zërat më të fortë kundër rikthimit dhe marrjes në dorë të partisë nga Sali Berisha, në këto zgjedhje ‘frerët’ do ti marrë në dorë kolegu i tij Agron Gjekmarkaj. I dalë deputet po nga kjo zonë, pasi ishte i dyti në listën e PD-së, Gjekmarkaj ka shumë zëra kundër në zonën e tij, por me sa duket jo në qendër. Sidomos pas shkëputjes nga Lulzim Basha.
Por ndërsa nuk mund të parashikojmë rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, lista e burrave të ‘parë’ nuk duket të sjellë asgjë të re në frontin e Demokratëve. Përpos shmangies të figurave të panjollë brenda kësaj partie apo mungesës së prurjeve të reja, duket se askush brenda këtij fronti nuk e njeh shprehjen monumentale të Einstein: Vetëm një i çmendur mund të presë rezultate të ndryshme pas disa veprimeve të njëjta. Gjithmonë nëse duan që diçka të ndryshojë!
DREJTUESIT E PD NË QARQE
1. Tirana – Belind Këlliçi
2. Durrës – Oerd Bylykbashi
3. Shkodër – Luçiano Boçi
4. Lezhë – Agron Gjekmarkaj
5. Fier – Gazment Bardhi
6. Elbasan – Ervin Salianji
7. Korçë – Ivi Kaso
8. Kukës – Flamur Hoxha
9. Gjirokastër – Tritan Shehu
10. Vlorë – Bujar Leksaj
11. Berat – Eno Bozdo
12. Dibër – Xhelal Mziu. Versus.al








