POLITIKË /

“Erdhi nga Greqia, iku si Anastasi i Shqipërisë”, Rama në meshën për Janullatosin: Tha se pasuesi i tij do jetë shqiptar

Sipas Ramës, Janullatos u paragjykua shumë herë për shkak të faktit se ishte grek.

Shkruar nga Versus
“Erdhi nga Greqia, iku si Anastasi i Shqipërisë”, Rama
Kryeministri Edi Rama

Në fjalën që mbajti në meshën e mbajtur për ceremoninë mortore të kryepeshkopit Anastas Janullatos, kryeministri Edi Rama bëri një përshkrim të jetës së patriarkut ortodoks duke theksuar edhe shërbimet që ai ka dhënë në përafrimin e dy popujve.

Ai tha se dëshira e Janullatosit për t’u varrosur në vendin tonë, e bën atë “Janullatosin e Shqipërisë” edhe pse 33 vite më parë erdhi nga Greqia për të ringritur nga rrënojat kishën Autoqefale të Shqipërisë.

“Sot më takon të kujtoj diçka në nderin e tij dicka të cilën shumë të tjerë nuk kanë dashur ta kuptojnë. Me trupin që la këtu në tokën e Shqipërisë me kërkesën e tij për t’u varrosur në këtë katedrale, kësisoj në këtë ditë të mbylljes së ciklit duhet thënë pa farë dyshimi se në përmasën e vetme që i interesonte, atë të fesë, Anastasi erdhi mes nesh si një prift nga Greqia dhe pas 33 vitesh ndahet nga mesi ynë si Anastasi i Shqipërisë”- tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se pavarësisht se shumë shqiptarë nuk bien dakord me këtë pohim, duhet të reflektojnë edhe për faktin se në një intervistë të dhënë në Greqi, Janullatos kishte shprehur dëshirën që pasuesi i tij të jetë kryepeshkop shqiptar.

“Duhet pranuar se është shumë vështirë të gjendet në kujtesën tonë historike dikush që të jetë identifikuar me aq krenari dhe përkushtim me fjalë dhe vepra me emrin e Shqipërisë sa kryepeshkopi Anastas. E di që ka plot shqiptarë që nuk pajtohen me këtë që thashë, por durim dhe ata të kundrojnë një reflektim të paqtë dhe të çliruar nga paragjykimet fqinjësore. Sot lexohet emri i kryepeshkopit të Shqipërisë i renditur menjëherë pas dy kishave autoqefale të Greqisë dhe Qipros që janë më të vjetrat. Pas shkrirjes në flakën 23 vjeçare të ferrit ateist, ishte vetëm hija e një besimi.

Në një intervistë të dhënë në Greqi, në një gjuhë më shqip se shqipja, Anastasi tha se pasuesi i tij do jetë shqiptar. Çfarë njeriu, çfarë patriarku, çfarë bariu i shenjtë. I dha mundësinë klerikëve shqiptarë ortodoksë të marrin stafetën dhe ta çojnë përpara”- u shpreh kryeministri. Versus.al

Poll