Për presidentin turk Rexhep Taip Erdogan vizita në Shqipëri është konfirmim i miqësisë së palëkundur mes dy vendeve, ndërsa theksoi si mjaft të rëndësishme hapjen e xhamisë së Namazgjasë që do tu shërbejë 8000 besimtarëve në Tiranë. Komentet e Erdogan u bënë në përfundim të vizitave në Tiranën e Beogradin zyrtar, ku presidenti turk zgjodhi t'i përgjigjej interesimit të gazetarëve që po e shoqëronin gjatë kthimit në atdhe.
Duke e cilësuar vizitën si jashtëzakonisht produktive dhe të suksesshme, Erdogan deklaroi se me kryeministrin Edi Rama shkëmbyer ide për zhvillimet e fundit në Ballkan dhe çështjet globale, e veçanërisht për luftën në Lindjen e Mesme.
“Ne u përcollëm vëllezërve tanë në Shqipëri, përshëndetjet e kombit tonë të dashur dhe të afërmve të tyre në Turqi”, deklaroi presidenti Erdogan, duke shtuar se gjatë takimeve në vendin tonë u theksua vendosmëria për të luftuar bashkërisht kundër organizatave terroriste.
Presidenti tha se në Tiranë u bë hapja e Xhamisë së Namazgjasë, më e madhja në Ballkan, e ndërtuar nga Kryesia e Çështjeve Fetare dhe Fondacioni i Dijanetit.
"Në kuadër të vizitës sime, ne vlerësuam marrëdhëniet tona në fushën politike dhe ushtarake me Presidentin e Shqipërisë, zotin Bajram Begaj. Pas këtyre takimeve, së bashku me mikun tim të dashur, Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama, hapëm Xhaminë Namazgah, xhaminë më të madhe në Ballkan, e ndërtuar në Tiranë nga Kryesia jonë e Çështjeve Fetare dhe Fondacioni ynë Diyanet. Ndërsa Xhamia e Namazgahut do të ofrojë mundësi shtesë për vëllezërit tanë muslimanë për të falur namazin e tyre, ajo do të funksionojë edhe si qendër kulturore.
Dëshiroj t'i falënderoj të gjithë dhe të gjitha institucionet tona që kontribuan në hapjen e xhamisë sonë, e cila është një vepër simbolike në çdo aspekt me arkitekturën, vendndodhjen, kapacitetin për 8 mijë banorë dhe objektet e tjera. Me këtë rast patëm rastin të diskutonim në detaje çështjet që lidhen me industrinë e mbrojtjes me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ne patëm mundësinë të hidhnim një hap mes Turqisë dhe Shqipërisë në fushën e industrisë së mbrojtjes", është shprehur Erdogan.
Erdogan nuk la pa përmendur edhe rrezikun prej organizatës FETO që ai e cilëson si terroriste dhe ndikimin e tij në Shqipëri për ta luftuar atë.
"Krahas deklaratës së përbashkët, konfirmuam natyrën e palëkundur të miqësisë Turqi-Shqipëri me dokumentet që nënshkruam në fushën e arsimit të lartë, bujqësisë, marrëdhënieve me publikun dhe medias. Gjatë takimeve tona, ne theksuam edhe një herë vendosmërinë tonë për të luftuar bashkërisht organizatat terroriste, veçanërisht FETO-n", tha Erdogan.
Duke folur për stacionin e dytë të turit të tij në Ballkan, vizitën në Serbi, ku u mbajt takimi i katërt i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, Erdogan tha se u Nënshkruan 11 marrëveshje dhe u theksua qëllimi i përbashkët për rritjen e shkëmbimeve tregtare. Presidenti turk bëri të ditur se gjatë takimeve në Serbi theksoi mbështetjen për procesin e dialogut Beograd-Prishtinë, duke shprehur gatishmërinë për të kontribuar në sigurimin e stabilitetit dhe paqes së përhershme në Ballkan.
"Me këtë rast edhe një herë theksuam mbështetjen tonë për procesin e dialogut Beograd-Prishtinë. Unë deklarova se jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë për të siguruar stabilitet dhe paqe të përhershme në Ballkan", shtoi Erdogan.








