Mandati i katërt i Edi Ramës, i zgjedhur me votë bindëse në zgjedhjet e këtij maji duket se ka vënë në ethe gjithë eksponentët kryesorë, por dhe të rinjtë e Partisë Socialiste.
I kthyer nga pushimet, kryeministri Rama ka nisur sot paradite takime me Delina Ibrahimajn dhe Ervin Mete të cilët janë filmuar ndërsa kanë hyrë në zyrën e kreut të ekzekutivit. Ndërkohë dhe zv. kryeministrja Belinda Balluku ka zhvilluar një takim të veçantë me kryeministrin, ndërsa pritet në pak ditë dhe formatimi i qeverisë së re.
Sigurisht Rama do të mbledhë dhe Asamblenë Kombëtare të PS-së ku do të bëjë të ditur dhe emrat e kabinetit të ri. Gjatë mandateve të tjera, emrat e rinj kanë qenë suprize për shumë syresh, ndërsa ai pritet që të afrojë në qeverinë e katërt dhe emra të rinj. Emërimi i ministrave pothuajse, tashmë është kthyer në një proces hermetik ku dhe shumë njerëz afër tij, pavarësisht hamendjeve e zërave nuk e kanë si info deri në momentin e fundit. Shumë prej të emëruarve janë parë të kapen në befasi ndërsa Rama i ka shpallur si ministra.
Mandati i katërt dhe konteksti zgjedhor
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Partia Socialiste e kryeministrit Rama arriti një fitore historike të katërt me radhë. PS mori rreth 52-53 % të votave, duke siguruar 83 nga 140 ulëse në parlament. Kjo i jep Ramës fuqinë e formimit të qeverisë pa nevojën për koalicion. Votuesit e diasporës, mbi 190 mijë, morën pjesë për herë të parë me postë, ndërsa vëzhguesit ndërkombëtarë kërkuan reforma të thella elektorale për shkak të përdorimit jo të barabartë të resurseve shtetërore gjatë fushatës.
Parathënie për surpriza politike
Si në kabinetet e kaluara, edhe në këtë mandat priten emërime të papritura dhe surpriza, duke përzier eksperiencën me kapacitete të reja që Rama konsideron të përshtatshme për vizionin e tij për Shqipërinë 2030./ Versus.al







