
Nigel Farage ka pohuar se kryeministri shqiptar Edi Rama ka rënë dakord të marrë mbrapsht të gjithë të burgosurit shqiptarë nga Britania.
Kreu i Reform UK tha se kishte qenë në bisedë me kryeministrin shqiptar, në lidhje me një marrëveshje për deportimin e kriminelëve.
Në një konferencë për shtyp ku u zbulua politika e partisë për drejtësinë penale, zoti Farage tha:
“Jam në bisedë me Edi Ramën nga Shqipëria dhe mendoj se ai është mjaft dakord që do të marrë mbrapsht të gjithë të burgosurit shqiptarë në këtë vend, gjë që është mjaft e mirë.”
Këto komente duket se vijnë pasi zoti Farage e sfidoi zotin Rama në platformën X që të marrë mbrapsht kriminelët shqiptarë, pas akuzave që i bëri për hipokrizi lidhur me komentet që ky i fundit kishte bërë për Britaninë, duke e përshkruar atë si një “vend i errët” pas daljes nga BE.
Lideri i Reform UK deklaroi se i gjithë programi i tij politik do të kushtonte 17.4 miliardë paund, të cilat do të siguroheshin përmes anulimit të projektit HS2 dhe heqjes së objektivit për emetimet neto zero.
Zoti Farage sugjeroi gjithashtu se një qeveri e Reform do të vendoste një sistem “tre goditje” për shkelësit e përsëritur të ligjit për krime të rënda.
“Nëse njerëzit dënohen për më shumë se tre vepra të rënda penale, atëherë, sinqerisht, ne mendojmë se kjo i vendos ata në një rrugë drejt burgimit të përjetshëm,” tha ai të hënën.
Për të krijuar më shumë kapacitet në burgje, ai propozoi ndërtimin e “burgjeve Nightingale”, një formë burgu të përkohshëm e frymëzuar nga spitalet e ndërtuara gjatë pandemisë së Covid-19./Telegraph







