Partia Demokratike ka reaguar për vendimin e bërë me dije nga Gjykata e Lartë e cila rrëzoi kërkesën e deputetit Ervin Salianji për pezullim të dënimit me 1 vit burg për kallëzim të rremë mbi dosjen ‘Babale’.
Duke e cilësuar si një vendim politik dhe të paligjshëm, sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso tha se kjo është një njollë turpi për gjykatat të cilat, sipas tij po bëjnë “gjueti shtrigash” ndaj anëtarëve të opozitës.
“Partia Demokratike e konsideron si ridënim të deputetit demokrat Ervin Salianji vendimin e Gjykatës së Lartë të marrë sot në presionin dhe urdhrat e Edi Ramës. Kundër një vendimi të paligjshëm dhe politikisht të motivuar, trupa e Gjykatës së Lartë, as u ngrit në lartësinë e detyrës dhe as nuk i shërbeu balancave ndërmjet pushteve në Shqipëri të cilat i ka fshirë Edi Rama me një të rënë të lapsit.
Mbajtja në burg e nënkryetarit të grupit parlamentar demokrat është një medalje për të dhe opozitarët, dhe një njollë turpi për qeverinë dhe gjykatat e saj, të cilat e kanë kthyer përndjekjen e eksponentëve të opozitës në gjueti shtrigash”- u shpreh Kaso.
Mes të tjerash ai nënkuptoi vijimin e aksionit të dhunshëm opozitar deri në lirimin e Salianjit, Berishës dhe krijimin e qeverisë teknike.
“Partia Demokratike shpreh edhe njëhere mbështetjen për deputetin e saj dhe pë cdo zë opozitar që ngrihet kundër regjimit. PD thekson se nuk ka paqe pa lirimin e të gjithë opozitarëve të mbajtur padrejtësisht në izolim ose në qeli. Shërbëtorët e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt në gjyqësor nuk mund ta heshtin opozitën dhe as ta detyrojnë atë që, ashtu si ata, të shndërrohet në ankes të pushtetit”- përfundoi Kaso në reagimin e bërë. Versus.al








