
Ditën e djeshme, KAS vendosi që të bëhej rinumërim i votave për të gjithë qarkun e Tiranës pas pretendimeve të partive politike dhe kandidatëve të listave preferenciale.
I pyetur nëse ky rinumërim, mund t’i rrezikojë mandatin e deputetit që ka marrë në Tiranë, kreu i partisë “Mundësia” Agron Shehaj tha se gjithçka është e mundur në një vend si Shqipëria.
“Pse të mos rinumërohen. Çdo gjë është e mundur, sidomos në Shqipëri. Për fat të mirë kemi filmimet, skandalizimet e para. Nëse ka pasur manipulime, e përsëris në Shqipëri mund të ndodhë gjithçka. Votat nuk i ka numëruar Partia Mundësia, i kanë numëruar numëruesit e Partisë Socialiste dhe numëruesit e Partisë Demokratike. Tani që janë bërë lëmsh me votat e kandidatëve është e qartë. Aty do të ketë çudira. Kurse vëmendja për numërimin e votave të partive politike ka qenë shumë e madhe, kanë qenë gjithë të përqëndruar”- u shpreh Shehaj.
Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, Shehaj deklaroi se është inkurajues, por kishte pritshmëri më të larta siç e kishte thënë më herët për formimin e një grupi parlamentar.
“Tani nëse e krahasojmë me pritshmëritë e të tjerëve, që votat për partinë Mundësia do të shkonin dëm, rezultati është inkurajues. Nëse e krahasojmë me pritshmëritë që kishim ne, sigurisht ne synonim që do të kishte qenë një rezultat shumë i mirë që të kishim një grup parlamentar”- shtoi kreu i partisë “Mundësia”. Versus.al







