
Kryeministri Edi Rama ka vijuar sërish me replika në rrjetet sociale me gazetarët. Këtë herë i është përgjigjur gazetares Klodiana Lala e cila ironizonte deklaratat e Ramës sipas të cilit edhe plehrat e mbeturinat kishin ndikuar në përmbytjen e Durrësit.
Ndërsa gazetarja nënvizon se nëse inceneratori i Tiranës do të funksiononte, Rama shkruan se Lala po e fajësonte inceneratorin për shishet dhe qeset e plastikës që hidhen rrugëve dhe bllokojnë kanalet kulluese.
“Komentatori-torja është gazetar-tare të cili-cilës ia hoqa emrin se nuk më intereson asfare polemika personale, po fakti skandaloz që një zëdhënës-nëse e opinionit publik, me një injorancë të ububushme (nuk flas për etikën apo për shqipshkrimin se pastaj i bie të rritet shumë kërkesa) u thotë qytetarëve se inceneratori i Tiranës e ka fajin për shishet e qeset plastike që hidhen rrugëve të Shqipërisë, e që me erën e pastaj me ujrat e lumenjve bëhen kapica të jashtëzakonshme e zbresin e bllokojnë rregullisht grykërrjedhjet e kanaleve kullues apo ndotin plazhet e detet…
Normalisht një gazetar nuk urren, nuk shpif, nuk dizinformon, po lexon, informohet dhe informon, por fatkeqësisht lloji i parë shtohet e shtohet (tamam si prurjet e plastikës) në kanalet e informimit, ndërsa lloji i dytë pakësohet dhe publiku përmbytet përditë nga prurjet e urrejtjes, shpifjes e dizinformimit! Kollaj, të urresh, shpifësh, dizinformosh është kollaj, sepse nuk ka nevojë të lexosh, të mësosh, të kuptosh të vërtetën e të jesh i drejtë dhe i mirëartikuluar, ndërsa e kundërta, uh, e kundërta ka punë e mund të madh”- u shpreh Rama.
Në ditët e fundit, Rama ka patur replika në rrjetet sociale edhe me moderatorin Blendi Fevziu për një deklaratë të këtij të fundit ku ngrinte si problem faktin se ministrat publikonin video të regjistruara ndërkohë që ndodheshin me udhëtime private. Versus.al



