Në ditët e dhimbjes së thellë që po kalon familja e Artan Lames, vërshimi i mesazheve të ngushëllimit ka qenë i jashtëzakonshëm që nga qytetarë të thjeshtë e deri te figura publike nga vendi dhe bota.
Ndër dhjetëra mesazhe të publikuara, vetë familja ka veçuar një mesazh të dërguar nga Yuri Kim, ish-Ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, përmes një mikeshe të përbashkët me familjen Lame.
“Mund të të kërkoj, të lutem, t’ia përcjellësh ngushëllimet e mia familjes së Artan Lames? Siç mund ta kujtosh, pata mundësinë ta takoja dhe të punoja me të gjatë kohës që isha në Shqipëri. Ishte një njeri vërtet unik: i pasionuar pas artefakteve të periudhës komuniste dhe puna e tij lidhej në shumë mënyra me zgjidhjen e problemeve historike, por më shumë se shumica e njerëzve, ai ndihmoi në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë. U prehtë në paqe.”- thuhet në mesazhin e Yuri Kim.
Ndërkohë në një mesazh publik të shpërndarë nga familja Lame, theksohet mirënjohja e tyre për këtë përkujtesë të veçantë:
“Këto fjalë na prekin thellë. Sepse po, Tani ishte i tillë: e njihte të shkuarën me rrënjë, por e deshi të ardhmen me të gjithë shpirtin. Faleminderit nga zemra për secilin prej jush që ka ndarë dhimbjen tonë dhe ka vendosur një homazh shpirtëror mbi kujtimin e tij. Dashuria dhe respekti juaj e bëjnë këtë humbje më të lehtë për ta përballuar.”- shkruan familja në postimin e bërë në faqen në Facebook të Artan Lames, tashmë të ndjerë.







