POLITIKË /

Ivanka Trump rikthehet në Vlorë, pritet takim me Ramën në Dhërmi

Ivanka Trump rikthehet në jug të Shqipërisë, ndërsa pritet një takim me kryeministrin Edi Rama në Dhërmi, mes interesit të vazhdueshëm për investime strategjike në zonën e Vlorës dhe ishullin e Sazanit.

Shkruar nga Versus
Ivanka Trump rikthehet në Vlorë, pritet takim me Ramën në
Ivanka Trump gjatë vizitës së saj në janar në Shqipëri

Ivanka Trump ka mbërritur sërish mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorë, ku sipas burimeve ka qëndruar gjatë natës në vilat qeveritare.

Gjatë ditës së sotme, ajo pritet të udhëtojë drejt Dhërmi, ku ndodhet edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Sipas informacioneve, rreth orës 11:00 pritet një takim mes tyre në vilat qeveritare në Dhërmi, i cili do të pasohet nga një drekë e përbashkët.

Deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë takim apo për mbërritjen e saj në vend.

Nga ana tjetër, Rama ka mbërritur në jug të vendit pasditen e së shtunës dhe pritet të qëndrojë në Vlorë edhe gjatë ditës së hënë, në kuadër të një agjende që përfshin takime dhe inspektime.

Kjo është një tjetër vizitë e Ivanka Trump në Shqipëri, veçanërisht në zonën e jugut, ku ajo ka shfaqur interes të vazhdueshëm.

Në janar të këtij viti, ajo publikoi pamje nga natyra e jugut shqiptar, ku deti, gjelbërimi dhe qetësia e zonës krijonin një tablo mbresëlënëse, ndërsa në sfond dëgjohej kënga “Luleborë”.

Gjatë vizitës së saj të mëparshme, Ivanka Trump qëndroi për dy ditë në Vlorë dhe më 22 janar u prit në Kryeministri nga Edi Rama.

Ata zhvilluan takime si në Tiranë, ashtu edhe në Vlorë, ku darkuan së bashku me delegacionin shoqërues.

Një tjetër takim informal u zhvillua në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ndërsa një darkë u organizua në Orikum, ku morën pjesë edhe rreth 60 arkitektë në kuadër të projektit për Ishulli i Sazanit dhe zonën e Zvërnec.

Vizitat e saj lidhen ngushtë me projektet e investimeve strategjike në këto zona.

Bashkëshorti i saj, Jared Kushner, u shpall investitor strategjik vitin e kaluar pasi prezantoi një projekt turistik në ishullin e Sazanit, që përfshin një sipërfaqe prej 562 hektarësh.

Ky investim parashikohet të arrijë vlerën e 1.4 miliardë eurove dhe përfshin ndërtimin e një marine turistike, hotele dhe rezidenca luksoze, zona gastronomike si dhe hapësira rekreative të dedikuara për vizitorët./Versus.al

Poll