
Në Gjykatën e Posaçme u mbajt seanca e radhës për dosjen në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta, ish-gruas së tij Monika Kryemadhi dhe 3 personave të tjerë të marrë të pandehur.
Kryemadhi tha se SPAK nuk provon dot se çfarë vepre penale ka kryer ajo për të shpjeguar akuzën e pastrimit të parave që rëndon ndaj saj dhe të ëmës, Fatime Kryemadhi.
“Përpara se të më akuzojë SPAK për pastrim të produkteve të veprës penale, SPAK duhet të thotë se çfarë vepre penale kanë bërë Monika dhe Fatime Kryemadhi. Sepse shtëpinë e kemi blerë në mars të 2010-ës, SPAK pretendon se vepra penale është kryer në dhjetor të 2010-ës. Pra i paskemi marrë lekët ne para se të krijohej CEZ-DIA. Sigurisht edhe kjo ka anën e vetë, prokurorët do japin anën e tyre”- tha Kryemadhi.
Mes të tjerash tha se në listën e provave që do të analizohen janë edhe mesazhet që kishte shkëmbyer me kryeministrin Edi Rama me të cilin kishte diskutuar çështje të ndryshme, mes të cilave edhe atë të kandidaturës për bashkinë e Tiranës.
“Në fakt në listën e provave janë nja 30 që janë përgjime ambientale të cilat nuk i kemi në fashikuj dhe ekspertimin e telefonit tim. Jam shumë e lumtur se do shikojnë mesazhet e mia me Edi Ramën dhe gjithë të tjerët. Bëhemi gati për poëer point që të shikojmë live mesazhet e mia me 2014-ën dhe njëkohësisht do shikoj se çfarë kanë thënë për mua ata që më kanë shajtur. Do veçoja pallatin fashist, ose si ia kemi futur Ilir Metës zgjodhëm Erion Veliajn kryetar se Meta donte Blendi Klosin”- tha Kryemadhi duke e mbyllur në fund me një thirrje për të ndjekur Big Brother-in ku është opinioniste.
Më 5 mars, gjyqtarja Irena Gjoka do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim ose jo. Meta dhe Kryemadhi kanë kërkuar pushimin e çështjes ose rihetim. Versus.al

