Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me ish-kryebashkiakun e shkarkuar Erion Veliaj sa i takon zhvillimeve të fundit. E ftuar në Klan Neës, Tabaku tha se shpreson që Begaj të ngrihet në lartësinë e detyrës si president dhe të mos dekretojë datë zgjedhjesh për Tiranën duke qenë se Kushtetuesja e ka pezulluar procesin deri në marrjen e një vendimi.
“Shpresoj që Presidenti të ngrihet në lartësinë e detyrës. Unë besoj tek institucionet dhe vendimet e tyre, por në këtë rast Presidenti është i kushtëzuar nga një njoftim që Gjykata Kushtetuese ka bërë. Presidenti s’mund të dekretojë një datë për Tiranën, për shkak të ankimimit i cili e pezullon shkarkimin”, tha ajo, duke e përshkruar këtë rast si unik dhe një sfidë serioze për Begajn dhe institucionet kushtetuese në vend.
Përsa i takon raportit Rama- Veliaj, deputetja tha se marrëdhënia e tyre është tensionuar dhe se Veliaj mund të kthehet në ‘pentito’ ose në të ‘penduar të drejtësisë’.
“Fakti që Veliaj ka çuar çështjen në Kushtetuese tregon shumë. Unë shpresoj që ai të shkojë deri në fund të këtij procesi dhe të kthehet edhe në një i penduar i drejtësisë”, deklaroi ajo. Versus.al







