
Deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko, i vendosur në Kavajë në listën e hapur për zgjedhjet e 11 majit ka treguar se si kishte menduar të tërhiqej nga gara dhe si rrjedhojë të largohej nga politika.
Në një intervistë për ‘Dekalog’ nga Roland Qafoku në DritareTv, Majko është shprehur se kur Edi Rama deklaroi se do të ishte në listën e hapur, mendoi se nuk shkonte të kandidonte përballë kreu të qeverisë.
Por deputeti i PS-së shtoi më pas se kur Rama vendosi të ishte në listën e mbyllur atëherë, ai kishte rënë dakort të futej në garë.
"Kam pasur mëdyshje nëse do të futesha në zgjedhje apo jo. Lidhur me faktin që Edi Rama kishte deklaruar se do të ishte në listën e hapur, i thashë se për mua do të ishte e çuditshme që unë të garoja përballë Edi Ramës. Deri në atë pikë kam qenë i dyzuar të futesha apo jo në zgjedhje. Megjithatë, në momentin që ai deklaroi se do të ishte në listën e mbyllur, isha dakord dhe u futa në garë. Por, nëse ai do të ishte në listën e hapur, nuk mendoj se do të më shkonte mua të kandidoja përballë Ramës, ndaj nuk do të isha futur."- u shpreh Pandeli Majko.








