
Ka nisur në Vlorë takimi i kryeministrit Edi Rama me banorët e Zvërnecit, që pretendojnë se janë pronarë të tokës ku do të ndërtohet projekti turistik i financuar nga dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner.
Rama tha se kur është shprehur që prona është e kthyer dem baba dem, e kam patur në kuptimin se është kthyer shumë vite më pare.
Por sipas tij, sot ligjërisht, ajo pronë është e investitorëve dhe shteti njeh këta si pronarë.
“Nuk është e vërtetë. Fjalët kanë peshë të madhe. Unë jam shumë i kujdesshëm me fjalët. Unë kam thënë që prona është e kthyer dem baba dem. Është kthyer shumë vite më parë. Nuk është kthyer nga kjo qeveri, jo nga kjo periudhë e kësaj qeverie.
A ka kthime të gabuara dhe të padrejta, me siguri ka plot. Këtë nuk e vendos unë, as qeveria, as hipoteka, asnjë agjenci që merret me pronën. Nuk e vendosin noterët. Këtë e vendos vetëm gjykata.
Ndjesë nëse je ndjerë i lënduar, por s’më ke kuptuar si duhet. Unë nuk përfaqësoj pronarët. Për dijeninë tuaj, unë nuk e kam takuar kurrë asnjë nga pronarët që përfliten. Nuk e kam idenë as çfarë marrëveshje kanë pronarët me investitorët.
Kur është folur për Sazanin dhe Zvërnecin, unë e kam thënë që në atë kohë: “Sazani është një çështje e qeverisë shqiptare sa i përket marrëveshjes, ndërsa pjesa përballë Sazanit është një çështje private, pronarësh privatë”. Pronarët privatë merren vesh privatisht. Shqipëria nëse shitet apo jo privatisht, këtë e vendosin pronarët, as qeveritë, as protestuesit. Pjesa tjetër është siç ka vijuar. Versus.al

