Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha pas mbledhjes që pati me deputetët e grupit parlamentar demokrat, foli për mediat lidhur me ato që i cilësoi procese politike ndaj përfaqësuesve të opozitës.
Duke përmendur dënimin e Salianjit, procesin ndaj tij, arrestimin e Metës dhe marrjen të pandehur të Asllan Dogjanit, Berisha tha se drejtësia është kthyer në armë të qeverisë.
Ndër të tjera ish-kryeministri deklaroi se mënyrën e arrestimit të dhunshëm të Metës do ta paraqesin në një dosje në komisionin antitorturë të Gjykatës së Hagës.
“Nuk ka dyshim që është proces politik. Është bërë botërisht e njohur se drejtësia është një armë në duart e diktaturës. I tillë është rasti yt, shumë i rëndë rasti ndaj Salianjit. Rast të cilin do ta paraqesim në të gjitha instancat ndërkombëtare sepse ai është aty për të denoncuar krimin. I tillë është rasti i kreut të Partisë së Lirisë. Ne do të dërgojmë dosjen në Hagë. Do punojmë me PL për të dërguar dosjen e tij në Komisionin antitorturë të Gjykatës së Hagës. Ishte një keqtrajtim shtazor publik, një torturë publike. Me juristët më të mirë ai rast do t’i paraqitet të gjithë instancave si rast i hakmarrjes, i torturës publike, rast i pandodhur ndonjëherë”- deklaroi Berisha. Versus.al








