POLITIKË /

"Kontejnerë me euro po futen në vend", Berisha: BSH të shpallë emergjencë kombëtare, po varfërohen qytetarët

Sipas Berishës, nuk është turizmi arsyeja e dobësimit të euros përballë lekut shqiptar, por futja e kontejnerëve me euro të ardhura nga krimi.

Shkruar nga Versus

"Kontejnerë me euro po futen në vend", Berisha: BSH të

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për mediat foli lidhur me situatën ekonomike në vend, duke cekur temën e pensionistëve e cila së fundmi është në qendër të debatit publik.

Berisha duke e cilësuar ekonominë e vendit si ‘narkoekonomi’ tha se nuk është bërë asgjë për të mbështetur pensionistët të cilët kanë punuar me sakrifica gjatë gjithë jetës së tyre.

“Kur dëgjon burra dhe gra të moshuar që kanë shkrirë jetën e tyre në punë dhe tani tregojnë se me pension nuk mbyllin dot jo muajin, po as 15 ditë, nuk mbyllin dot më shumë se dy vakte në ditë, kjo nuk është kurrë Shqipëria e tyre, kjo është Shqipëria që i ndëshkon ata. Narkoekonomia është bërë një ndëshkim i madh për të varfrit e këtij vendi"- u shpreh Berisha. 

Ish-kryeministri i kërkoi guvernatorit Gent Sejko që të informojë Bankën Europiane për rënien e euros, duke e arsyetuar këtë fakt me paratë e pista që hyjnë në vend. Sipas Berishës nuk është turizmi shkaku i rënies së monedhës europiane në raport me lekun, por futja me kontejnerë e eurove të fituara në mënyrë kriminale.

“Narkoekonomia dhe i kërkoj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë të informojë Bankën Europiane, të gjitha bankat se narkoeurot po mbysin ekonominë shqiptare. Të shpallë publikisht sundimin e narkoeuros në tregun monetar shqiptar.

Nuk mund të spekulohet kjo, jo turizmi, jo ajo. A e dini se euro sot është 98 lekë? Kjo do të thotë 40 përqind zhvlerësim i remitancave që u dërgojnë emigrantët familjeve të tyre. Dhe me cinizëm ekstrem, Edi Rama kur u leverdis, i llogarit me euro, dhe kur nuk i intereson, i llogarit me lekë. Banka e Shqipërisë duhet të shpallë emergjencën kombëtare të intoksimit, të sofokimit të ekonomisë nga narkoeurot dhe të jetës së qytetarëve nga narkoekonomia. Kontejnerët, kamionët që vijnë me euro, po bëjnë miliarderë trafikantë dhe oligarkë, po rrënojnë dhe varfërojnë gjithnjë e më shumë shqiptarët. Po vrasin pasivisht vendet e punës, sepse kanë shkatërruar eksportin, i cili është gjeneratori kryesor i prodhimit”- deklaroi Berisha ndër të tjera. Versus.al

Poll