
Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku gjatë konferencës për shtyp me gazetarët ditën e sotme theksoi se përdorimi i sistemit të qarkullimit të automjeteve në bazë të grafikëve është një praktikë e njohur në disa vende evropiane.
Ajo e përmendi Athinën si një shembull të suksesshëm, ku kjo strategji është aplikuar për 35 vjet dhe ka rezultuar me një ulje prej 50 për qind të trafikut.
Balluku: Është një plan për klimën që e kemi në fuqi që prej viti 2021, jo e kemi vetëm në fuqi, por edhe e kemi aplikuar. Gjatë muajit gusht ne krijuam fasha orare për mjetet e tonazhit të rëndë nga fundjava duke nisur nga e premtja deri të hënën në mëngjes. E kemi hedhur për konsultim duke shtuar disa elementë të tjerë lidhur me kërkesat e BE për klimën dhe karbonizimin.
Praktikë e ndjekur nga kryeqytetet evropiane, Athina prej 35 vitesh ka qarkullim të makinave sipas numrave të targave duke e ulur lëvizjen e automjeteve me 50%, një ditë ata me targa çift, një ditë ata me targa tek. Nuk ka ligj që do të detyrojnë drejtuesit, është plan kombëtar për klimën dhe energjinë.
Por çfarë thuhet në planin e qeverisë shqiptare për qarkullimin e automjeteve me grafik?
Në draftin e publikuar për konsultim, parashikohet një masë e re për kufizimin e lëvizjes së automjeteve sipas targave.
Kjo masë, e hedhur për konsultim publik, mund të nisë të zbatohet brenda këtij viti, nëse kalon për miratim.
Masa synon të ulë ndotjen nga karburantet dhe të lehtësojë trafikun në qytetet kryesore të Shqipërisë, duke përfshirë Tiranën dhe zonat me fluks të madh turistik.
Një tjetër objektiv i rëndësishëm është elektrifikimi i transportit deri në vitin 2030, ku 10% e automjeteve që përdoren në vend do të jenë elektrike. Për këtë arsye, do të instalohen stacione karikimi në rrugët kombëtare, pikat kufitare, zonat turistike dhe parkimet publike.
Ndërkohë, do të ketë përmirësime në infrastrukturën ekzistuese, duke përfshirë planifikimin e një rrjeti të optimizuar të parkimeve dhe përcaktimin e tarifave të reja të parkimit në nyjat kryesore të transportit të pasagjerëve.
Këto masa reflektojnë angazhimin e Shqipërisë për të përballuar sfidat e ndotjes dhe ndryshimeve klimatike, duke ndjekur shembullin e vendeve të BE-së për një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të gjelbër./Versus.al








