
Komisioni i posaçëm anti-korrupsion që nisi veprimtarinë e tij javën e kaluar, është mbledhur sërish ditën e sotme. Opozita, siç edhe ka paralajmëruar, bojkotoi sërish mbledhjen duke mos u paraqitur.
Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj ftoi deputetët e opozitës që të ishin të pranishëm në mbledhjet e radhës me qëllim që puna e komisionit të jetë sa më gjithëpërfshirëse. Ai u shpreh i bindur se në vijim opozita do të merrte pjesë në komision duke parë rëndësinë që do të ketë për integrimin e vendit.
“Do duhej që kolegët e nderuar të opozitës të merrnin pjesë në mbledhje si detyrim i Kuvendit por edhe nevojë jetike për të qenë pjesë e një procesi të tillë reformues. Besoj se hap pas hapi duke ecur para me procesin përgatitor, do sqarohen më mirë dhe do kuptojnë kushtetutshmërinë dhe qëllimin e këtij procesi së bashku me rëndësinë që ka për integrimin e vendit. Në ditët që vijnë, unë besoj se opozita por edhe shumë faktorë dhe aktorë të tjerë të cilët janë ftuar publikisht nga ne, do jenë pjesë e këtij procesi gjithëpërfshirës dhe transparent”- tha Xhafaj.
Teksa ftoi për bashkëpunim organizatat vendase dhe ato ndërkombëtare, mes detajeve teknike, deputeti bëri me dije se do të ketë edhe një faqe online dedikuar vepritmarisë së komisionit ku do të bëhet transparencë lidhur me çështjet e diskutuara dhe raportet e miratuara.
Opozita bojkotoi edhe në Kuvend votimin për ngritjen e komisionit të posaçëm anti-korrupsion i cili sipas socialistëve do të përafrojë legjislacionin e vendit me atë të Bashkimit Europian. Ndërsa opozita e sheh këtë si një përpjekje të mazhorancës për të kufizuar kompetencat e SPAK-ut. Versus.al







