Kryeministri Rama, ka zbuluar arsyen e mbulimit të monumentit të Skënderbeut në Tiranë, i cili prej disa ditësh është i rrethuar me skela.
Sipas kreut të qeverisë monumenti është veshur me skeleri sepse po i merren format për të realizuar nëj kopje të tij e cila do të vendoset në sheshin 'Gjergj Kastrioti Skëndërbeu' në Paris.
Kreu i qeverisë shton më tej në postimin e tij se skela do të hiqet duke shtuar me tej me ironi:
Kështu që edhe atdhetarët zemërtrazuar që llokoçiten në kënetën e kua-kua-kuave do të mund të çmallen me kalin e Skënderbeut dhe do t’u duhet të gjejnë një tradhëti tjetër
Postimi i Edi Ramës:
Qarkullon një kua-kua-kua këmbëngulëse në kënetën sociale për psenë e mbulimit të monumentit të Skënderbeut në Tiranë dhe formulohen mallkime për tradhëti kombëtare, bazuar në akuza për konspiracion kundër Atletit të Krishtit në Muajin e Madhërueshëm të Ramazanit
Arsyeja është shumë e thjeshtë, po edhe e bukur në këtë rast. Monumenti është veshur me skeleri, sepse po i merren format për realizimin më pas të një kopjeje të tij, e cila do të vendoset në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Paris
Po po, e lexuat mirë, pas një përpjekjeje diplomatike të gjatë e të suksesshme, pikërisht sepse sot Shqipëria dëgjohet me respekt, kemi arritur të marrim miratimin e autoriteteve franceze për të vendosur monumentin e Heroit tonë Kombëtar në një shesh të Parisit me emrin e tij
Punë ditësh dhe skela do të hiqet, kështu që edhe atdhetarët zemërtrazuar që llokoçiten në kënetën e kua-kua-kuave do të mund të çmallen me kalin e Skënderbeut dhe do t’u duhet të gjejnë një tradhëti tjetër./ Versus.al








