POLITIKË /

“Mister i gëzueshëm”, Rama lidh konferencën ndërqeveritare me lindjen e Naim Frashërit: Dielli lind andej nga perëndon

Shkruar nga Versus

“Mister i gëzueshëm”, Rama lidh konferencën

Kreu i qeverisë, Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale lidhur me procesin e integrimit në Bashkimin Europian e cilësoi si “mister të gëzueshëm” përkimin e përparimit të negociatave në datën e 180 vjetorit të lindjes së Naim Frashërit.

Duke e konsideruar poetin e madh si “udhërrëfyesin gjenial” të aspiratës shekullore të shqiptarëve drejt BE, Rama tha se viti 2030 do të kurorëzohet si “Viti Europian i Naimit”.

“Mirëmëngjes! Është një mister i gëzueshëm, që drita jeshile për çeljen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkim Europian, të vezullojë në harkun e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, udhërrëfyesit gjenial të aspiratës sonë shekullore drejt “Diellit që lind andej nga perëndon”.

Me mirënjohje të madhe e kujtojmë në këtë 25 maj “Shqipëribërësin” e madh dhe të pavdekshëm, duke e thirrur Orën e Mirë të shpirtit të tij për ditët e mira që paskëtaj vijnë për kombin e për shtetin tone. Me punën tonë të përbashkët, nën dritën e amanetit të tij dhe rilindësve tanë, e me ndihmën e Zotit Shqipëria 2030, do ta kurorëzojë atë vit të 130-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit si Vitin Europian të Naimit, vitin e “Diellit që lind andej nga perëndon. Dhe nëse siç tha Konica, kur u shtie në dhé Naimin e përcollën 300 shqiptarë, në Shqipërinë 2030 Shqipëribërësin e madh do ta kremtojë të gjallë një popull i tërë, i bërë njësh me familjen e Europës së Bashkuar! Javë të mbarë”- shkruan Rama.

Më 26 maj në Bruksel do të zhvillohet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku i pranishëm do të jetë Rama së bashku me një përfaqësi të kabinetit qeveritar. Versus.al

Poll