
Më 23 dhjetor Partia Demokratike do të mbajë protestën e radhës në kuadër të mosbindjes civile. Gjatë një konference me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha tha se protesta e radhës do të jetë mosbindja civile më e fuqishme që ka parë vendi.
“Data 23 dhjetor do jetë dita e mosbindjes më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria deri më sot. Modalitetet e kësaj mosbindje do përcaktohen nga grupi përgjegjës. Por opozitarët nga e mbarë Shqipëria dhe kudo ndodhen në botë, duhet të bashkohen më 23 dhjetor në një mosbindje civile që do ketë fuqinë e elektroshokut për regjimin narkodiktatorial të Edi Ramës”- deklaroi Berisha.
Duke përsëritur kërkesën e PD për një qeveri teknike para zgjedhjeve, Berisha tha se një gjë e tillë duhet të vendoset edhe në kushtetutë në mënyrë që të parandalohet ndërhyrja e qeverisë dhe ndikimi për të siguruar vota në mënyrë të paligjshme dhe nëpërmjet presioneve në administratë.
“Sigurisht qeveria teknike është kërkesë themelore, por përveç saj, lirimi i të burgosurve politikë është një kërkesë tjetër. Kërkesat tashmë janë botërore, janë në rezolutat e mbarë botës, ndaj dhe ne do të luftojmë për zbatimin e këtyre kërkesave. Sigurisht çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë, se Edi Rama qeveri teknike nuk krijon, nëse nuk i imponohet.
Sikundër deklarova mbrëmë dhe deklaroj dhe sot para jush, se kërkesa për qeveri teknike, e cila mendoj unë, si akt mund të sanksionohet në kushtetutë në mënyrë që 4 apo 3 muaj para zgjedhjeve, sot e tutje të ketë një qeveri kujdestare për përgatitjen e zgjedhjeve për ti dhënë fund këtij debate”- shtoi kryedemokrati.
Kreu i PD gjatë gjithë konferencës së tij e vuri theksin tek rezulta e IDU (Bashkimi Ndërkombëtar për Demokracinë) e cila sipas tij tregon realitetin e zymtë në të cilin ndodhet Shqipëria, ndryshe nga çfarë përpiqet ta paraqesë Partia Socialiste. Versus.al








