Ndërkohë që foli për listat e kandidatëve për deputetë, kryeministri Edi Rama bëri me dije se të gjithë ata të cilët kanë marrë më parë një mandat deputeti ose kanë më shumë eksperiencë, do të jenë në listat e hapura.
Duke përjashtuar drejtuesit politikë të qarqeve, Rama tha se në terren duhet të jenë kandidatët me më së shumti eksperiencë. Ndërsa theksoi domosdoshmërinë që drejtuesit politikë të jenë në listat e mbyllura me argumentin se në rast të kundërt, do krijohej garë e pabarabartë.
“Ajo që dua të ndaj me ju, është e para cilido prej jush që nuk pranon të jetë në listën e hapur duhet t’ja bëjë më dije drejtuesit politik. Parimi themelor i listës së re, do jetë asnjë deputet në gjininë mashkullore që ka marrë qoftë edhe 1 mandat nga PS, nuk do jetë në listën e mbyllur. Është e drejta e kujtdo që për arsye të ndryshme nuk dëshiron të jetë në listën e hapur, që ta thotë, por duhet ta thotë përpara që të mos jetë në listë.
Sepse luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe kanë marrë më shumë nga votuesit dhe PS. Në listën e hapur do ketë edhe plot të rinj dhe të reja. E dyta, diskutimi ka qenë, unë e kam shprehur dhe kam thënë se drejtuesit politikë do jenë në listën e hapur. Por kjo do çorodiste gjithë procesin sepse nuk do lejonte asnjë barazi shansesh në garë dhe nga ana tjetër, nuk do të garantonte asnjë lloj drejtimi të vërtetë politik të garës. Pasi drejtuesit politik do ishin të fokusuar për të marrë vota për vete dhe me një status të veçantë do krijonin pabarazi dhe do çorientohej gjithë skuadra”- u shpreh kryeministri.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë tha se ishte në mëdyshje nëse ai vetë do të jetë në listat e kandidatëve për deputetë.
“Me thënë të drejtën as nuk e kam pasur as nuk e kam shumë idenë se pse unë duhet të jem në parlament si deputet përsa kohë kam këtë detyrë. Nga ana tjetër do ishte hyrje në hak të të tjerëve që të vendosej emri im dhe të çorientohen njerëzit. Kështu që kush është në listën e hapur duhet të jetë në një garë shumë të barabartë. Ndërkohë që vendimin për veten time nuk e kam akoma të marrë plotësisht, se mund të mos jem fare në listë”- deklaroi Rama. Versus.al








