POLITIKË /

“Ndarja e re territoriale, jo më shumë se 50 bashki”, zbardhen detaje nga mbledhja e Ramës me drejtuesit politikë të qarqeve

Në mbledhjen e sotme të drejtuesve politikë socialistë të qarqeve me Ramën, u bë publike raporti i bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku

Shkruar nga Versus

“Ndarja e re territoriale, jo më shumë se 50 bashki”,

Mazhoranca propozon që të ketë jo më shumë se 50 bashki në vend, duke paralajmëruar shkrirjen apo bashkimin e bashkive të vogla, për të cilat ka patur reagime dhe protesta nga qytetarët.

Në mbledhjen e sotme të drejtuesve politikë socialistë të qarqeve me Ramën, u bë publike raporti i bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku.

Burime nga brenda mbledhjes bëjnë me dije se projekti i ri i paraqitur nga Mazniku parashikon që numri i bashkive të mos i kalojë 50, nga 61 që janë aktualisht.

Ndërsa projektligji pritet të depozitohet në Kuvend brenda muajit korrik, pasi të kalojë me votat e deputetëve të PS në Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale.

Po ashtu, në shtator projekti i ndarjes së re territoriale pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare, edhe pse opozita ka dalë hapur kundër.

Socialistët planifikojnë që deri në javën e parë të tetorit, në Parlament të miratohet ndarja e re territoriale.

Ky votim pritet të kërkojë 84 vota, të cilat mazhoranca socialiste nuk i ka e vetme, ndaj duket se do të kërkojë edhe mbështetjen e tre deputetëve të PSD-së së Tom Doshit./Versus.al

Poll