Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në prezantimin e projekteve në garën për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano për të cilin garojnë 5 kompani ndërkombëtare. Teksa foli para prezantimit të projekteve për ndërtimin e portit, Rama shprehu edhe njëherë pakënaqësinë e tij me portin aktual të Durrësit që ndodhet në mes të qytetit duke e konsideruar si një “kaos”.
“E shkuara jonë është si porti i Durrësit në mes të qytetit. Një port që është një plagë mjedisore, fizike që ka bërë në vazhdimësi dëm të madh për prespektivën dhe imazhin por edhe një plagë në aspektin socio-ekonomik sepse e dimë shumë mirë se gjithë ai kaos ka qenë zonë e errët e veprimtarive të paligjshme dhe kriminale. Largimi i portit të Durrësit nga porti i qytetit dhe vendosja e atij këtu me karakteristika dhe përmasa të reja, është hapja e kapitullit të ri në historinë e qytetit por edhe në historinë e ekonomisë e sigurisë kombëtare”- tha Rama.
Sipas Ramës, porti i ri që do ndërtohet në Porto Romano pritet të ketë një ndikim shumë më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit, krahasuar me portin aktual të Durrësit.
“Një port impakton deri në 3% PBB. Ky që kemi në mes të Durrësit që është edhe një turp kombëtar, e ka impaktin qesharak. Ky i këtushmi jo vetëm që do impaktojë PBB-në por edhe sigurinë tonë. Sepse do ketë edhe krahun e vetë ushtarak, duke i ofruar NATO-s një bazë të re ushtarake me parametra optimalë”- shtoi kreu i qeverisë.
Ndërsa sa i takon rëndësisë strategjike, Rama tha se porti i ri do të jetë në qendër të flukseve të reja tregtare. Ndërsa u bëri sërish thirrje shqiptarëve që punojnë e jetojnë si emigrantë në Greqi, që të vijnë në vend dhe të punësohen në portin e ri që sipas tij do të ketë paga të mirëpaguara.
“Ky port e bën Shqipërinë një pikë kyçe strategjike për tregtinë dhe strategjinë e gjithë rajonit. Ky port do të orientojë shumë flukse tregtare dhe shkëmbime që deri më sot janë jashtë rrezes sonë të influencës. Porti do sjellë punësim cilësor të mirëpaguar. Kjo është një tjetër arsye pse ne duhet të shkojmë përpara me arsimin profesional. Po u them shqiptarëve që punojnë në Greqi që ndërkohë që rrinë atje dhe bëjnë shërbime si pastrues apo larës pjatash apo kuzhinierë e kamarierë, të vijnë këtu pa humbur kohë sepse në fund të muajit, u ngelen më shumë këtu sesa atje”- tha kryeministri.
Ndërtimi i portit të ri tregtar në Porto Romano parashikohet të përfundojë brenda vitit 2028 dhe kostoja totale pritet të shkojë deri në 392 milionë euro. Versus.al








