Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji i cili pak ditë më parë u lirua nga burgu i Fierit ku qëndroi për afro 10 muaj, ishte i ftuar në “TPZ” ku rrëfeu sesi e përjetoi vuajtjen e dënimit. Ai tha se padrejtësia e bërë ndaj tij ia vështirësoi kohën e kaluar në burg që e cilësoi sit ë ndarë me një vijë nga vdekja.
"Privimi i lirisë, një vijë e ndan burgun nga vdekja. Je i izoluar, ke një afat shyqyr Zotit, por në kuptimin e jetës, është një periudhë ngrirje. Është një periudhë e fikur në jetën e njeriut, përpiqesh të gjesh mënyra. Të gjithë që po themi, që dalim në publik dhe kemi kujdes për interesin publik, i shohim edhe qeniet njerëzore si mekanizma, por të gjithë janë njerëz. Qëllimi është rehabilitimi. Se çfarë duhet të rehabilitohesha unë dhe të më hiqej mandati dhe të largohesha nga zgjedhjet, kjo e bën më të rëndë. Funksionet vijnë dhe ikin, nuk lind njeri deputet. Padrejtësia e një vendimarrje, ta bën më të vështirë vuajtjen e dënimit, koha nuk është e njëjta aty. Nuk ke mundësi të lëvizësh. Ke një televizor të vogël 32’ që e kanë të gjithë të burgosurit. Janë këto elementët pastaj që në jetën e përditshme nuk i mendon por i merr të mirëqëna", tha ndër të tjera Salianji.
Sa i takon aktivitetit të tij politik, Salianji tha se do të vazhdojë të kontribuojë në PD, por pa dhënë detaje mbi një detyrë konkrete. Për situatën që po kalon partia, ish-deputeti u shpreh se është gjë e mirë që ka njerëz me mendime të ndryshme.
Pjesë nga diskutimi:
Ylli Rakipi: Ç’do të bëjë Ervin Salianji tani? Ka një vend për Salianjin në PD? Me fjalë të duan të gjithë, sidomos kur je në burg. Edhe të vdekurit na duhen shumë si popull. Por edhe kur janë në burg, i përdorin. Tani dole ti. doktorin e pyetën dje, Salianji ç’detyrë do të marrë, se ai i ndan aty detyrat. Doktori tha është nënkryetar i grupit parlamentar. Fillova të qesh, se ti në Parlament nuk lejohesh. Tani si e mendon ti, ai është një vend ku ke hapësira të plota?
Ervin Salianji: Unë jap kontribut aty dhe e shoh si instrument për interesin publik. Unë, siç e keni ndjekur, kam vijuar aktivitetin po njësoj, kam qenë në takime, kam marrë pjesë te inaugurimi i shtatores së Josif Budës, kam bërë takime, kam qenë në media, etj.
Ylli Rakipi: Po këto i bëje edhe përpara 10 muajve. PD doli e dërrmua nga zgjedhjet. Ç’duhet të bëjë tani kjo parti? Ka një heshtje totale. Nuk guxon njeri të kërkojë analizë apo larg qoftë, dorëheqjen e doktorit.
Ervin Salianji: Unë kam parë disa deputetë që kanë kërkuar, pra PD nuk është si PS që nuk ka zëra që kërkojnë ndryshim. Ka disa deputetë, kam dëgjuar Dash Sulën, Ferdinand…
Ylli Rakipi: Dash Sula dhe Ferdinand Xhaferraj kanë ikur nga aty…
Ervin Salianji: Ajo parti nuk është repart. Nuk është si PS që i mbush ai me njerëz që nuk i njeh njeri, pa kontribute në publik, pa kontribute personale.
Ylli Rakipi: A mund të jetë PD fituese nën drejtimin e Sali Berishës?
Ervin Salianji: PD duhet të bëjë gjithçka të garantojë që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira, te ndershme dhe të barabarta. PD duhet të dijë ti përgjigjet pyetjes shumë shpejt, pasi të mbarojë denoncimi i parregullsive zgjedhore, se si do ta rrëzojë qeverinë. Me zgjedhje? Me lëvizje? Me presion në rrugë? Me protesta? Me ndërkombëtarë? Kjo është pyetja që duhet ti përgjigjet PD dhe që unë sot i kam pyetje. Versus.al







