Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar sot në mbledhjen e grupit parlamentar se do të dorëzohet në Kuvend projektligji që njeh vetëm 2 gjini në Shqipëri.
Pjesë e projektligjit janë edhe propozimet për dënimin e atyre të cilët flasin për “Prindi 1 dhe Prindi 2”.
Berisha e quajti këtë si nismë në kuadër të “desorosizimit të Shqipërisë”. Bdërsa tha se e gjithë beteja bëhet për të vërtetën dhe shmangien e devijimeve që rrezikojnë institucionin e shenjtë të familjes.
“Ne kemi përgatitur një ligj në kuadrin e desorosizimit që dorëzojmë sot, me të cilin sanksionojmë se Republika e Shqipërisë njeh dy gjini, ato që i ka bërë Zoti, mashkull dhe femër. Në mënyrë që t’i japim fund çdo lloj tentative dhe përpjekje. Ligji tjetër me dënim ai që flet për Prindin 1 dhe Prindin 2. Do ketë sanksione.
Këto janë vetëm fillimet, këta e kanë shtrirë në shkolla, e kanë shtrirë në falsifikimin e historisë, uoke është bërë një rrymë e veçantë jo vetëm në media, por është degëzuar në shumë drejtime. Lufta me kulturën uoke do jetë një betejë pa kompromis e jona. Është beteja për të vërtetën. Ne nuk kërkojmë asnjë deformim. Gjërat siç janë”- u shpreh Berisha.
Një ligj i ngjashëm u miratua nga presidenti i SHBA Donald Trump sapo u inagurua në krye të Shtëpisë së Bardhë. Ai firmosi urdhrin që njeh vetëm dy gjini në Amerikë për t’i dhënë fund çoroditjes së popullit amerikan. Versus.al








