
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka folur për herë të parë mbi arsyet që e kanë shtyrë të shfaqë publikisht ambicien për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, duke zbuluar se frymëzimin e ka marrë nga mbështetja e socialistëve të Njësisë 5 në kryeqytet.
I ftuar në emisionin “Top Story”, Braçe tregoi se vendimi i tij nuk ka ardhur si një zhvillim i papritur, por si rezultat i një procesi të gjatë diskutimesh dhe takimesh me strukturat bazë të Partisë Socialiste në terren. Sipas tij, pikërisht në mbledhjet e Njësisë 5 ai ka gjetur mbështetjen dhe reagimin që e kanë shtyrë të artikulojë më qartë qëndrimet e tij politike.
Ai u shpreh se gjatë një prej mbledhjeve në këtë njësi, pjesa më e madhe e të pranishmëve u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën, ndërsa sipas tij, vetëm “presidiumi” nuk e priti mirë këtë zhvillim. Braçe theksoi se ky moment ka shënuar pikën e nisjes së reflektimit të tij politik mbi mënyrën se si funksionon partia dhe raporti me bazën.
"Mua nuk më shkon as për staturë edhe të mbaj armë. Jo nuk është fare kjo. Gjëja nuk ka nisur në media apo në kafene, ka nisur në Asamblenë e PS në Njësinë nr.5. Nën përgjegjësinë time politike dhe të paktën ka 1 vit që në atë asamble unë jam përpjekur të ushqej njerëzit të flasin."
Kam lëvizur gjatë këtyre ditëve në këto mbledhje që po zhvillohen nëpër Tiranë dhe më vjen keq që nuk kam gjetur tek ato siç flitet te Njësia nr.5. Unë kam folur brenda asamblesë atje dhe ka arsye që më shtyn ta bëjë këtë: partia nuk mund të kthehet në një mur ku ngjiten kohë pas kohe njoftime për kryetar partie, për të deleguar, njoftime për kryetar bashkie, njoftime për të deleguar në qarqe.
Jo, partia nuk mund të funksionojë kështu, për njoftime që ngjiten në mur. Sepse nëse vazhdon kështu, mund të vijë dhe ndonjë njoftim më i rënd, për fundin e partisë. Unë kam dashur ta thyejë këtë praktikë që bie ndesh me parimet e mia dhe të PS.
E dyta, është Tirana, kryeqyteti. Unë jam deputet dhe kam parë se çfarë shkon e çfarë nuk shkon. Tirana as qeveriset dhe as vetëqeveriset. Unë e thashë dhe në mbledhjen e asamblesë që jeni ju nxitësit. Ata u çuan në këmbë dhe duartrokitën. Ishte e gjithë salla, me përjashtim të presidiumit", u shpreh Erion Braçe.
Braçe theksoi se nuk ka marrë asnjë leje për të shprehur ambicien e tij për garën e Bashkisë së Tiranës, duke nënvizuar se qëndrimet e tij kanë qenë të pavarura dhe të bazuara në bindjet personale dhe përvojën në terren.
"Nuk kam marrë lejë për garën për Bashkinë e Tiranës, siç nuk kam marrë leje për qëndrimet e tjera, të cilat kanë qenë shumë të pastra. Kam gjetur veten në ato që kam thënë dhe i kam çuar deri në fund", u përgjigj ai.
Gjatë intervistës Grida Duma e pyeti se si ka mundur Erion Braçe të rezistojë deri tani, ndërsa deputeti socialist insistoi se të qenit pranë njerëzve, terrenit dhe të vërtetës, ai ka mundur të mbijetojë si kritik brenda Partisë Socialiste.
"Unë jam thjesht deputet në PS, u bënë shumë vite, për pak javë bëhen 30, por i zgjedhur dhe jo i emëruar. Unë mendoj që Edi Rama e ka lejuar (disidencën e tij në PS) dhe nuk do vazhdoj të marrë leje, sepse ato që kam thënë kanë qenë të drejta dhe të vërteta.
Kam thënë ato që vijnë nga territori, nga njerëzit. Por ka pasur dhe të tjerë brenda PS që kanë thënë gjëra të vërteta, të drejta, të lidhura me njerëzit dhe interesat e drejta", vijoi Erion Braçe./Versus.al

