Megjithëse fillimisht kishte siguruar mbi 28 firma nga deputetët demokratë, Endrit Shabani ka mbetur tani pa mbështetjen e tyre për të vijuar garën për postin e Avokatit të Popullit.
Burime bëjnë me dije se gjatë negociatave të sotme mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, shumë prej deputetëve të PD-së që kishin firmosur për kandidaturën e Shabanit, janë tërhequr, duke e pamundësuar kalimin e tij në fazën përfundimtare atë të votimit në Kuvend.
Shabani ishte ndër kandidatët që socialistët e kishin konsideruar më të pranueshëm nga lista me 7 emra e paraqitur nga PD-ja, çka duket se ka nxitur demokratët të rishikojnë qëndrimin e tyre.
Në konferencën e sotme për shtyp, Sali Berisha nuk e përmendi emrin e Shabanit, por la të kuptohej se PD-ja synon të mbështesë kandidaturat e veta.
Një prej emrave që Berisha ka promovuar vazhdimisht është ai i Besim Ndregjonit, kryetar i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë.
Endrit Shabani, që në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte pjesë e koalicionit të drejtuar nga Adriatik Lapaj, ka pasur një përplasje të fortë publike me Berishën, kur gjatë një debati televiziv i kërkoi atij të largohej nga politika dhe t’i hapte rrugën brezit të ri.

